Krerët shtetëror, familjarë dhe qytetarë të shumtë kanë lartësuar veprat e heronjve Ahmet Krasniqi e Qazim Jakupi, në ditën kur eshtrat e tyre u kthyen për të pushuar të qenë në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në akademinë përkujtimore në 20 vjetorin e rënies së tyre, tha se lufta e UÇK bëri që të gjithë atdhetarët të bashkohen pa dallim.
“Lufta e UÇK bëri që të gjithë atdhetarët të bashkohen pa dallim ideologjik, pa dallim rajonal, në aspiratën shekullore për liri dhe pavarësi. Në kuadër të këtyre angazhimeve, UÇK bëri që të bashkohen të gjithë në përpjekjet tona përfundimtare për liri. Kolonel Krasniqi bëri mobilizimin e të gjithëve pa dallim për luftën për liri. Kam pasur kënaqësinë që ta njoh edhe familjen Jakupi dhe shpreh respektin më të lartë për sakrificën e tij,” është shprehur presidenti, Thaçi para të pranishmëve, në Teatrin Kombëtarë.
Kryeministri Ramush Haradinaj tha se shqiptarët i ka bashkuar gjithmonë atdhedashuria përderisa lartësoi figurat e heronjve Ahmet Krasniqi dhe Qazim Jakupi.
“Shqiptarët jeta i ka përpjekë, i ka nda, e i ka kthy në shtegtar. Çdo shqiptar në jetën e vet, që nga lindja e deri në amshim e kanë atdheun. Është nderë i posaçëm për të gjithë ne që ta kthejmë në atdheun tonë Ahmet Krasniqin. Unë nuk kam pas fatin ta njoh si luftëtar, por fakti që është i shtëpisë Ahmet Zhilivodës flet shumë. Rruga jonë deri në liri ka qenë e gjatë dhe me shumë paqartësi, por kemi pas qëllimin e qartë. Ahmet Krasniqi sot kthehet në Prishtinë, është afër presidentit Rugova dhe bashkëluftëtarëve tjerë të UÇK-së. Rruga jonë me ndërtu lirinë s’ka me qenë e lehtë por duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin,” është shprehur kryeministri, Haradinaj.
Në emër të bashkëluftëtarëve dhe heronjve ministri i FSK, Rrustem Berisha tha se liria e vendit mban edhe emrin e heronjve Qazim Jakupi dhe Ahmet Krasniqi.
“Ka ardhur koha që sot pas 20 viteve nga kalimi në amshim, ministri i mbrojtjes po nderohet dhe po kthehet në Prishtinë dhe Kosovë si shtet i pavarur dhe demokratik. Lajmin për humbjen e Qazimit e përjetuam bashkë me Agim Ramadanin. Tashmë ëndrra e të dy heronjve po bëhet realitet sepse edhe ushtria e vendit po bëhet”, tha ai.
Behgjet Krasniqi vëllai i heroit Ahmet Krasniqi, dhe Leonora Jakupi vajza e Qazim Jakupit, falënderuan institucionet për kthimin e dëshmorëve në atdhe.