Rënia e Zahir Pajazitit me shokët e tij ishte një goditje dhe lëkundi besimin se mund të krijohet një ushtri që do të luftonte për lirinë e vendit. Por, rënia e tyre nuk solli dëshpërim te populli shqiptar, por rikthim edhe më të fuqishëm në luftën për liri.
Kështu u tha sot në akademinë përkujtimore kushtuar 21-vjetorit të rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu.
Kryeministri Ramush Haradinaj, nën patronazhin e të cilit u mbajt kjo akademi, tha se rënia e komandantit të UÇK-së, Zahir Pajaziti, aso kohe ishte një goditje për besimin se mund të krijohet një ushtri që do të luftonte për lirinë e vendit.
“Ishin përpjekjet e para të asaj kohe se do të kemi UÇK-në apo jo; ishte punë vetëmohuese dhe angazhim i madh për luftën për liri. Në të njëjtën kohë, shqiptarët po e kuptonin momentin historik dhe veprimet që i jepnin Kosovës forcën e vet. Ishte një periudhë shumë sfiduese”, tha Haradinaj.
“Por për fat të mirë, ashtu siç kishin qenë vetë Zahiri, Hakifi dhe Edmondi, kjo nuk solli dëshpërim te populli shqiptar, por nga rënia e tyre patëm rikthim edhe më të fuqishëm në luftën për liri”.
“Nga pikëpamja ime mendoj se shqiptarët janë popull me fat, sepse në kohërat e vështira kanë nxjerrë zbatues të projekteve për liri”, tha Haradinaj.
Edhe një ish-luftëtar tjetër i UÇK-së, Rrustem Mustafa, lartësoi figurën e Zahir Pajazitit.
“Kur armiku mbylli rrugët dhe shqiptarët mbetën pa alternativa, atëherë shqiptarët u hodhën në mbrojtje të lirisë me komandant Zahir Pajazitin. Shumë shpejt u pa se komandanti Pajaziti me shokë ishin të matur dhe udhëheqës të duhur. Kur të tjerët ishin pothuajse të humbur, të heshtur dhe gati të nënshtruar, kur në zemrat tona nuk kishte më shpresë, u shfaq Pajaziti në betejën historike dhe me bindjen se me kapacitet që ka Kosovë fitorja është e sigurt”.
“Komandanti fliste, organizonte por edhe vepronte, ndërsa ne e dëgjonim dhe ëndërronim, frikësoheshim dhe organizoheshim në strukturat ushtarake që ai organizonte. Komandanti po sfidonte kohën dhe po krijonte njësi luftarake në çdo vend”, u shpreh ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit.
Sipas tij, falë Pajazitit dhe atyre që e ndoqën pas, shqiptarët janë të lirë dhe kanë përkrahjen e aleatëve të mëdhenj ndërkombëtarë.
Bajram Pajaziti, i cili foli në emër të familjeve të dëshmorëve, tha se këta heronj i kishte bashkuar ideja për liri. “Këta të tre kanë vepru, kanë luftu dhe u flijuan së bashku. Sot kur kujtojmë këta heronj, kujtojmë të gjithë dëshmorët që u flijuan për popull”.
“Falë këtyre e ndërtuam shtetin dhe e fituam lirinë”, theksoi ai.