Kriminelë që merren me shëndetin e që përdorin sëmundjen e pacientit si mënyrë që të pasurohen në mënyrë të paligjshme i ka quajtur ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, të përfshirët në skandalin e abuzimeve me fondin për trajtim të pacientëve jashtë shtetit. Ministri ka paralajmëruar masa duke thënë se më “kjo s’do të kalojë”.
Në një intervistë për televizionin publik, Latifi ka thënë se “të gjitha rastet do të shikohen me mikroskop”.
KOHA ka nisur qe më shumë se një javë publikimin e serisë së hulumtimit për abuzimet me këtë program. Hulumtimi disamujor ka ngritur dyshime për keqmenaxhim e humbje të madhe të parasë në kurriz të pacientëve të sëmurë rëndë, e që s’gjejnë shërim në Kosovë. Hulumtimi zbardh raste kur faturat që vijnë nga spitalet, kryesisht në Turqi, janë më të shtrenjta se profaturat. Familjet e pacientëve në shumicën e rasteve s’kanë qasje në fatura. Ka raste kur familjarë të pacientëve rrëfejnë për keqpërdorime e se si s’i kanë marrë trajtimet për të cilat shteti mori obligim e se si kanë paguar mjete shtesë për trajtim. Dy agjenci, nga rreth 10 sa lëshojnë profatura, janë nën pronësi të një personi të akuzuar për korrupsion. E borxhi i përgjithshëm mbahet fshehtë. Teksa Fondi në përgjigje zyrtare thotë se është më pak se 2 milionë euro, Qeveria thotë se është afër 10, Bordi Ekzekutiv në fund të vitit të kaluar ka përmendur shifrën prej 28 milionë eurove.
“Problemi kryesor është se ne si shtet s’kemi marrëdhënie bilaterale me një ose ma shumë shtete për trajtimin e pacientëve tanë. Ne s’mund t’i kemi të gjithë specialistët. Ka sëmundje të rralla e diagnoza që s’mund t’i kemi secilën ekspertizë dhe na duhet t’i dërgojmë për trajtim jashtë vendit. Por ne po i dërgojmë edhe me diagnoza rutinore për shumë arsye. Sepse ua kemi bë të mundshme dhe nën dy sepse u themi shkoni ku të doni. Pastaj janë aktivizuar disa struktura, disa që i shohim e disa që s’i shohim. Kjo është e tmerrshme. Kur kam shkuar te Fondi. Para se të shkoj kam pa disa ‘dyqane’ që merren me dërgimin e pacientëve jashtë. Pacienti s’e ka asnjë faj. S’ka faj hiq. Ne kemi faj, ne jemi fajtorë. Ju siguroj se krejt çka është e mundshme. Të gjitha këto raste, i gjithë ky proces ka për t’u shikuar me mikroskop. Kjo ka për t’u ndalur”, ka deklaruar Latifi.
Ai ka thënë se ende s’e ka ftuar Prokurorinë të merret me rastin sepse “ende po i mbledhim materialet”.
“S’mund të lejojmë që qytetarët tanë të jenë në mëshirën e kriminelëve që merren me shëndetin, që përdorin sëmundjen e pacientit si mënyrë që të pasurohen në mënyrë të paligjshme. Të gjitha provat që MSH-ja i siguron, do t’u dorëzohen organeve përkatëse. Përndryshe ne humbim kohë duke u marrë me përditshmëri përderisa kemi vrimë të jashtëzakonshme që po rrjedh mjete e po u shkakton dhimbje pacientëve”, ka thënë ai duke shtuar se “kushdo që është pjesë e kësaj, s’ka shansin të kalojë”.