Profesori i Filozofisë Politike, Blerim Latifi ka thënë se ëndrrat e Erdoganit se Kosova është një vilajet i Turqisë kanë marrë fund, pasi presidenti i Turqisë ka thënë se Kosova e ka tradhtuar Turqinë me vendosjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
Latifi ka shkruar në Facebook e Kosova është shtet i pavarur që në politikën e jashtme merr parasysh orientimet gjeopolitike të ShBA’së dhe jo ashtu siç thotë Sulltan Erdogani.
“Sulltani Erdogan na paska quajtur tradhtarë, pse kemi marrë vendim që ambasadën e Kosovës ta vendosim në Jerusalem.Tipi e paska pasur iluzionin që ne jemi vilajet i tij dhe si të tillë duhet t’i ndjekim huqet e politikës së tij të jashtme. Kanë marrë fund njëherë e përgjithmonë ëndrrat që Kosovën e shohin si vilajet apo oblast. Kosova është shtet i pavarur që në politikën e jashtme merr parasysh orientimet gjeopolitike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Arsyet dihen. Sulltani Erdogan na paska quajtur tradhtarë,duke harruar, së pari, faktin themelor se ne botën, parasegjithash, e mendojmë si shqiptarë dhe, së dyti, faktin se ne nuk kemi bërë ndonjë besëlidhje me të përtej marrëdhënieve normale që krijohen midis dy shteteve të pavarura”, ka shkruar Latifi.