Rritja e buxhetit për Shëndetësi, funksionalizimi i sistemeve të sigurimeve shëndetësore, janë disa nga prioritetet e ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi. Ai ka thënë se janë në rrugë të drejtë për transformimin e shëndetësisë kosovare, raporton Ekonomia Online.
Duke raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, për aktivitetet e menaxhimit në sektorin e shëndetësisë dhe aktualitetet e zhvillimeve të fundit në shëndetësinë e vendit, Latifi ka thënë se prioritet po i japin infrastrukturës spitalore dhe procesit të akreditimit të spitaleve.
Ai fillimisht foli për kujdesin parësor në shëndetësi, për të cilin tha se është në krye të rëndësisë së nevojave shëndetësore. Këtë ai e krahasoi me rëndësinë e gjyshes.
“Ne po flasim për shtyllat e transformimit të shëndetësisë, po e marrim kujdesin parësor si gjyshen, kurrë nuk flasim mirë për gjyshen, por gjithë e respektojmë. Se kujdesi parësor është çështja me më rëndësi në shëndetësi. S’ka tjetër më me rëndësi, kujdesi parësor merret me preventivën e sëmundjeve, që ne këtu në Kosovë kemi veçmas nevojë me u marrë me të”, tha ai.
Latifi tha se ata që punojnë në kujdesin parësor, ata që janë të interesuar me qenë e suksesshme, kjo Ministri do t’i kushtojë interesin më të madh të mundshëm.
Ai tha se gjashtë muajt e fundit i ka pasë shumë të ngarkuar me shumë punë dhe se po punon në shumë rrugë, nëpër të cilat duhet kaluar për të transformuar shëndetësinë.
Latifi në këtë drejtim përmendi përmirësimin e ligjeve për shëndetësinë, infrastrukturës dhe bashkëpunimit me vende të tjera.
“Ata që punojnë në kujdesin parësor kjo ministri do t’i kushtoj kujdesin më të madh të mundshëm. 6 muaj kemi qenë të ngarkuar më shumë punë. Po punojnë në shumë rrugë në çështjen e legjislacionit që i kemi 6 ligje. Ne nuk kemi mundësi të krijojmë qendrën e traumës sepse është shërbimi i emergjencës. Po merremi me legjislacionin dhe mirëqenien e mjekëve. Neve na duhet të fillojmë procesin e akreditimit të spitaleve. Po punojmë edhe ndërtimin e infrastrukturës. Ne kemi obligim me u marr me shëndetësi dhe se kjo qeveri e ka bërë prioritet”, tha ai.
Latifi ka thënë se teksa ka vizituar një Klinikë në QKUK, ka vërejtur mungesë të stafit teknik.
“Rritja e buxhetit të shëndetësisë, funksionalizimi i sistemeve të sigurimeve shëndetësore, detyrimi me ligj për përdorimin e protokolleve në nivel kombëtar, janë disa nga prioritetet tona. Sot kam qenë në Onkologji dhe çdo ditë vizitojë klinika, dhe kam vërejtur se kësaj Klinike i mungon stafi teknik”, ka thënë Latifi.