Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka pritur sot në takim nxënësit Andi Krasniqi e Besart Berisha nga SH.M.L.P “Selajdin Mullabazi-Mici” dhe Xhafer Qata nga SH.M.L.” Xhelal Hajda –Toni”, me të cilët ka biseduar për ambiciet e tyre në projekte inovatore dhe ndihmën që komuna mund të u jap atyre, transmeton Ekonomia Online.
Sipas një komunikate nga komuna, kryetari Latifi tha se është i kënaqur me projektet e nxënësve. Ai shtoi se eksperimenti i realizuar nga ata, bën të mundur konstruktimin e një pajisjeje, e cila absorbon 99.98% të Dioksidit të Karbonit (CO2).
“Jam i kënaqur, që sëbashku me drejtorin e arsimit t`ju presim në takim juve nxënës të shkëlqyeshëm të shkollave të mesme të larta, që jeni mjaft ambicioz me një projektin tuaj inovator në fushën e shkencës dhe teknologjisë. Eksperimenti i realizuar nga ju, bën të mundur konstruktimin e një pajisjeje, e cila absorbon 99.98% të Dioksidit të Karbonit (CO2)”, ka thënë Latifi.
Nxënësit Andi Krasniqi e Besart Berisha nga SH.M.L.P “Selajdin Mullabazi-Mici” dhe Xhafer Qata nga SH.M.L.” Xhelal Hajda-Toni”, gjatë takimit që kishin me Latifin dhe drejtorin e arsimit kanë kërkuar mbështetje për realizimin e projektit të tyre shkencor, ambicioz. Projekt ky që siç thanë ata tashmë ka kaluar me sukses fazën eksperimentale të realizuar pikërisht nga ata të tre dhe pritet që shumë shpejtë të realizohet në praktikë.