Në një atmosferë festive dhe emocionuese me mysafirë të shumtë, ka nisur Gala Mbrëmja e Federatës së Futbollit të Kosovës “Laureatët 2023” për të nderuar dhe shpërblyer lojtarët, trajnerët, klubet dhe personalitetet e rëndësishme të futbollit në Kosovë për vitin që po e lëmë pas.
Mbrëmja ka nisur me befasi, ku Fisnik Asllani, anëtar i skuadrës gjermane Hoffenheim, por që aktualisht luan si i huazuar te Austria Wien, ka vendosur t’i bashkohet Kombëtares së Kosovës. Ai është ngjitur në skenë bashkë me përfaqësuesin e FFK-së në Gjermani, Fekmi Kongjeli, derisa atij ia ka dhuruar fanellën dardane presidenti Agim Ademi.
“Jam shumë i lumtur që më është ofruar mundësia të luaj për Kosovën. Falënderoj familjen time që gjithmonë ka qenë afër meje, falënderoj edhe Fekmi Kongjelin dhe Agim Ademin”, ka theksuar Fisnik Asllani.
Të pranishëm në këtë manifestim janë edhe zëvendëspresidenti i UEFA-s dhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidenti i FFM-së, Muamed Sejdini, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, personalitete tjera nga institucionet, politika dhe nga komuniteti i futbollit dhe sportit në përgjithësi.
Presidenti Agim Ademi, në fjalimin para të pranishmëve falënderoi të gjithë ata që ishin pjesë e futbollit përgjatë vitit 2023 dhe jo vetëm, e të cilët kontribuan në forma të ndryshme në zhvillimin dhe arritjet e futbollit kosovar, si dhe foli për sfidat dhe arritjet e futbollit gjatë kësaj periudhe.
Zëvendëspresidenti i UEFA-s, Armand Duka duke falënderuar FFK-në që gjithmonë i jep mundësi të drejtohet të pranishmëve në këtë ceremoni.
“Përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është si kurrë më parë, në të gjitha nivelet. Ky është një zhvillim i m adh, që ndoshta dikush duke qenë nga afër nuk e sheh, por vërtet ka një përparim të madh. Ne jemi të nderuar me FC Ballkanin që na ka përfaqësuar neve si rajon në tërësi në Evropë. Ndërkohë, rezultatet e Kombëtares jo gjithmonë vijnë. Çdo humbje është leksion dhe do t’i shërbejnë të ardhmes dhe padyshim rezultatet do të vijnë patjetër edhe për Kombëtaren e Kosovës”, ka Duka.
Me fjalë rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe Ismet Krasniqi e Ibër Alaj.
Të rikujtojmë se në këtë mbrëmje të veçantë do të nderohen dhe shpërblehen laureatët në kategori të ndryshme, duke filluar nga Shpresa e vitit, për të vazhduar te futbollistja më e mirë, klubi më i mirë i vajzave, lojtari më i mirë në futsall, klubi më i mirë në futsall, gjyqtari më i mirë, klubi më fair-play, klubi më i mirë, trajneri i vitit, golashënuesi më i mirë, Top 11-shja e Superligës, futbollisti më i mirë i vitit i Superligës dhe për të mbrritur te çmimi “Fadil Vokrri” për futbollisti më i mirë i vitit.