Sulmuesi i Interit, Lautaro Martinez, ka thënë se ai dhe bashkëlojtarët e tij ndihen të lumtur si liderë të Serie A dhe këmbëngul se partneri i tij në sulm, Romelu Lukaku, mund të përmirësohet edhe më shumë.
Martinez dy herë dhe Romelu Lukaku një herë shënuan për t’i ndihmuar Interit ta mposhtë Milanin 3:0 në derbin për kreun e tabelës të dielën në San Siro, raporton Gazeta Express.
Interi vijon të jetë lider i Serie A tani me 53 pikë pas 23 ndeshjeve, katër më shumë se Milani dhe 11 më shumë se Juventusi. Ky i fundit i ka zhvilluar dy ndeshje më pak, megjithatë.
“Këta jemi ne. Ne punojmë çdo ditë për ta çuar Interin në maje. Duam të vazhdojmë kështu. Jemi shumë të lumtur”, tha Martinez pas ndeshjes.
“Ne luftojmë të gjithë së bashku. Kemi vuajtur shumë këtë sezon me eliminimin nga Liga e Kampionëve dhe nga Kupa e Italisë. Titulli është synimi i vetëm i mbetur për ne dhe jemi të lumtur që jemi liderë”, shtoi ai.
Në lidhje me bashkëlojtarin e vet belg, argjentinasi tha: “Lukaku ende ka vend për përmirësim. Ai është i ri dhe punon shumë brenda dhe jashtë fushës. Ai është njeri i madh dhe ne jemi të lumtur që e kemi”.