Lavdërim marrëzisë!

Prishtinë | 27 Pri 2024 | 15:39 | Nga Kimete Berisha
  1. Në vend se t’i shkarkojë ministrat e tij të korruptuar, Albin Kurti ka shprehur habi me Departamentin Amerikan të Shtetit që sheh ‘veç keq’.
    Ka pritur nga Amerika t’ia lëvdonte hajnat…
    Çfarë ndodhi!
  • Për ta shprehur habinë e tij Albin Kurtit i janë dashur 3 ditë.

Që qeveria ka korrupsion ‘është normale’, por që kryeministri qëndron në anën e hajnave dhe i mbron ata, nuk është normale.

  • Unë ende kujtoj se ministrat vjedhin në emrin e Albin Kurtit e jo për Albin Kurtin, dhe mendoj se nëse Albin Kurti nuk i largon ministrat e korruptuar, përfundon karriera e tij politike.
  • Pse përfundon?
    Sepse Albin Kurti nuk e ka asnjë kapital tjetër (nuk ka luftuar), përveç ‘premtimit për luftimin e korrupsionit’.

Është e vetmja kartë e tij morale që Amerika dhe ‘Freedom House’ ia dogjën!

  • Prandaj, e vetmja rrugëdalje e tij tani është që më së pari t’ia nis luftës kundër hajnave të qeverisë së tij.
  1. Dështimi i së kaluarës ka qenë i vetmi ‘sukses’ i Albin Kurtit.
  • Unë jam më pak ‘i dështuar’ se ata përpara meje!
  • Po, por ti s’guxon të jesh as i dyshuar!
    Ty nuk të falet korrupcioni.

Ata të tjerët korrupcionin e ‘mbulonin’ me do beteja…

  • ti s’ke se si ia mbush magjen e vjedhur Rozetës;
  • s’ke si ia kthen ujin përpjetë Liburnit;
  • s’ke se si lejon që një ministreshë e paditur të vazhdojë ta shkatërrojë arsimin – dhe një ministër i shëndetësisë që…
    shko në emergjencë shih ti se kush është ministri yt (që një maskë gjatë pandemisë e paguante 20 euro).
  1. Domethënë, Aleksandër Vuçiq ka qenë i traumazuar me dhunën që policia e Serbisë ka bërë ndaj grave shqiptare, dhe kur Vjosa Osmani në OKB ia ka rikujtuar krimet dhe masakrat, Aleksandër Vuçiqit i ka ndodhur posttrauma, i janë rikujtuar vuajtjet që ka përjetuar dikur, është dridhur, ka ripërjetuar thyerje shpirtërore, është turpëruar dhe është ndjerë fajtor.
  • Se këto janë simptomat e postraumës.

Postraumë përjetojnë viktimat, e që përjeton edhe xhelati postrauma, s’e dimë, sigurisht mund të pendohet edhe vrasësi, por për t’u penduar së pari duhet ta pranojë të vërtetën, e pasi që e pranon fajin, kërkon falje.

E Aleksandër Vuçiq nuk e pranon të vërtetën, nuk ka kërkuar falje as për shfarosjen e dhjetëra familjeve shqiptare, as së paku për vrasjen e fëmijëve….mos i paça borxh, çfarë barku ka ai!

  • Nëse mendon se është vrasës, pse ti pranon të negocosh me një vrasës?
    Keni premtuar se nuk do të pranoni negociata me Serbinë pa kërkuar falje për krime!
  • Se ‘kollaj’ të bësh politikë me gjakun e ‘huaj’.
    Tregimi shkruhet me gjakun tënd, jo me dhimbjen e huazuar.
  • Duke dashur ta sulmojë Aleksandër Vuçiqin, e ka amnistuar, sepse kjo grua nuk ka lidhje me politikë, kjo huazon fjalë që nuk ua di kuptimin, si ajo idioma me sherifen.
  • Sillet si pedagoge që do ta edukojë Vupiqin, e ta mbush mend.
  • Ne duam drejtësi jo ‘orë pedagogjie’ se kush kë po e mund me fjalë.
  • Është thjesht një grindavece, një grua konfliktuoze, që kurrë nuk e tha një fjalë të butë e të urtë, as kurrë nuk e dëgjoi kush duke folur për paqen dhe për të ardhmën.
  • Pse nuk inicon padi për përdhunimin e grave në luftë, por i përdorë viktimat për llafe dhe për ambiciet e t’ua karrieriste!
    E përsëris:
    Përdhunuesin e V.K. Drejtësia e Kosovës e ka liruar nga ‘faji’!
    Pse?
  1. Ndoshta unë po gaboj, se Qerkinit i duket ‘heroinë’ veç pse presidentja tha se ‘Serbia fle mbi varreza’.

Njerëzit flenë edhe brenda varrezave, dhe durojnë deri në kiamet, po merru ti me ta dhe ngrite një padi kundër vrasësve, e mos lyp etikë nga Serbia zyrtare sepse ty nuk të duhet një Serbi etike!

  1. Thonë se mbi varreza është ndërtuar edhe teatri kombëtar, që sot është i lënë shkret, i shpallur i shkatërruar (pa qenë i shkatërruar), për hir të varreve nën të.
  • Më shumë kanë ‘shpurdh’ të vdekurit nën teatër se që janë ankuar aktorët e gjallë për teatrin…

Se, nëse ti proteston, ta marrin inat, të ekskomunikojnë, mbetesh i vetmuar, pa pare (që domethënë, pa shokë), pa role, pa asgjë…
Krijon armiq në vend të artit.

Është marrëzi.

  • Por më të marrë se veten ende s’kam parë.
    Armiqësohem me të gjithë, nuk fitoj asgjë…e
    kam menduar dje në buzëmbrëmje, se nëse do të niste një luftë e re, më shumë do të isha në rrezik nga shqiptarët, që do ta shfrytëzonin rastin…
  • Por, është një ndjesi, si rebelim, si nervozë, që nuk ma pyet logjikën.
    Është njëfarë premtimi i drejtësisë që më duhet për të mbijetuar.
    Aq fort e urrej padrejtësinë….sa që çdo ditë prishem e ndreqem me ‘Zotin’ (pse i drejti vuan), e lëre më me juve që nuk ju bëj hesap.
  1. Teatrin e tij kombëtar e shkatërroi Edi Rama dhe s’u bë gjë.
  • Shqiptarët dhe Teatri.
    Tubohen 5 veta në një hotel, bëjnë llaf për teatrin:
  • njëri njohës i teatrit: ‘valla teatri duhet të zhvillohet;
  • tjetri njohës: ‘pajtohem me parafolëson, se kemi nevojë për teatër’;
  • i treti njohës: ‘nuk po i përsëris ato që u folën, dakord me gjithçka që u tha, teatri është art elitar, prandaj nuk duhet të presim shumë publik’.

Kalon gati 1 orë nga debati, mbyllet debati, ‘njohësit’ shkojnë për t’u dehur me pare të shtetit, dhe ky projekt (që nuk e shihni), paguhet nga taksat e popullit 100 mijë euro.

  • E teatri mbyllur me dry.
  1. Xhavit Hajdari ka treguar se ka luftuar për të fjetur në hotel Grand në shtratin e dhomës ku ka fjetur Tito.

Kur pas luftës populli i vajtonte humbjet, Xhavit Hajdari e realizoi ëndrrën e tij jetësore për të fjetur në shtratin e Titos (falas).

Pse ka qenë i magjepsur me Titon?
Si u dashurua në të, nuk ka treguar…
se është pasion i dhimbshëm edhe ky – të fiksohesh që të flesh ‘me diktatorin’.
E pastaj të futesh në saunë…

  • Unë mendoj se për pushtetin që ia ka dhënë vetes Xhavit Hajdari ka bërë më zi se Tito.
    Paramendoje sikur të kishte pasur pushtet sa Tito.
  1. Një hero prej letre po krijohet edhe në Maqedoni: Ali Ahmeti.

Erion Veliaj do t’i jap mirënjohje që Ali Ahmeti i ka bindur shqiptarët e Maqedonisë të mos kërkojnë bashkim kombëtar dhe sidomos që nuk ia ka prishur qejfin Edi Ramës.

  • Për t’u dukur hero i kompletuar, Ali Ahmetit po ia postojnë fotografitë me cigare të gjata sa pushka, thuajse është pronar i fabrikës së duhanit (që ndoshta edhe është).
  • Veç shqiptarëve u ndodh të bëhen heronj pa fitore.

Fitorja më e madhe e BDI-së është ndaj një shqiptari tjetër.

  • Ali Ahmeti e festoi ngadhënjimin mbi një shqiptar, me tupana.
    Grubi i Ali Ahmetit tregoi se me ‘strujën dhe me Ali Ahmetin nuk ka lojë se të shkymen dritat, tha’.
    (Shkymja e dritave vlen veç për shqiptarët).
  • Derisa shqiptarët shtyhen më mëhalla, fitojnë maqedonët.
  1. Nuk është e çuditshme që shqiptarët t’i ‘përzihen’ njëri-tjetrit në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni…por, e çuditshme është se pse për shembull Menduh Thaçi nuk mërzitet që kanë fituar maqedonët, por gëzohet që i ka fituar një grusht vota më shumë se Taravani.
  • Ky Taravani ka premtuar se do ta lë politikën nëse nuk bëhet president.
    Por nuk e la polirikën se është është mashtrues, është rrenës….mashkull lap!

P.S. Profesori i cili u shkarkua nga UP për shkak se ka bërë komente mbi buzëkuqin e studenteve (dukej si koleksionist i karminëve), i kish 200 mijë euro kesh.

  • Kish thënë se nga pagat është pasuruar, por më ka shkuar mendja mos i ka fituar duke ngjeshur…
  • Ngacmimet janë të bezdisshme. Nganjëherë komentet pozitive kanë efekt pozitiv…por ne jemi mësuar me komente dhe vazhdojmë të marrim komente mbi pamjen tonë në rrugë dhe kudo…!
  • Je e obliguar të dukesh bukur se të bëjnë ‘horë’ meshkujt në rrugë!
  • Në vitin e parë gjimnaz, një arsimtar nuk më thoshte gjë, por më shikonte, m’i ngulte sytë veç mua, nga fillimi i orës deri në fund, thuajse në klasë isha veç unë.

Më shumë më nervozonte se sa që më vinte turp se po e vërenin shoqet e shokët e klasës.

  • Një ditë i thashë nanës: Unë më nuk shkoj në shkollë se kështu…kështu!
  • Të nesërmen, nana erdhi me mua në shkollë.
    Shkuam bashkë tek drejtori.
    Drejtori na tha se arsimtari ‘është i pasherr, i pamençur’, se s’do të përsëritet më…dhe na luti të mos e bëjmë të madhe se është i varfër, gjynah tha…

E ftoi arsimtarin që ndërsy neve t’ia tërheq vërejtjen.

Arsimtari (një djalë i ri, i hollë), tha:

  • Unë kam femra të bukura që Kimeten e mbajnë në vegën e rripit të pantallonave (dhe e demonstroi ‘pozitën time’ me dorë duke e prekur vegën e rripit).

Nuk qesha aty për aty, për të qeshur pastaj përgjithmonë.

  • Shikimi i tij ngulitës ka vazhduar, kurrë pa pushuar…nuk u ankova më, u mësova…!

(Sikur të më kishte pëlqyer shikimi i tij, kuptohet se nuk isha ankuar).

Të ngjashme