Me rastin e tetë vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, Qendra e Beogradit për Politikën e Sigurisë (BCSP), në krye me udhëheqësin Bojan Elek, organizoi një panel të hënën për të diskutuar implikimet e kësaj marrëveshje dhe sa afër është normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.
Tatjana Lazareviqit nga portali KoSSev ka thënë se kjo marrëveshja ishte e imponuar për të dyja vendet, dhe se ideja e Evropës që demokracia ka fituar nuk qëndron
“Përshtypja ime ende mbetet sa gjëra nuk janë ndërmarrë në kuptimin e aktivitetit ligjore, kur bëhet fjalë për veriun, pasi qëllimi ka qenë që veriu të integrohet në Kosovë. Nuk qëndron ajo duartrokitja e Evropës që demokracia ka fituar. Është një marrëveshje e imponuar. Duhet të ishte korrekte që të pranohet nga BE-ja kjo gjë pas tetë viteve. Është futur me forcë nga Beogradi në shtetin e Kosovës. Kemi bërë paralajmërime që në fillim se e ardhmja mund të jetë shumë e vështirë pas kësaj marrëveshje”, ka thënë ajo.
Ndërkohë sipas Jovana Radosavljeviqit, komuniteti serb në veri nuk ka pasur dëshirë të bëhet pjesë e këtij procesi, prandaj edhe integrimi ka qenë i vështirë.
“Marrëveshja u firmos papritmas, gjërat u përshpejtuan nga ai moment. Gjërat ndryshuan për serbët në territorin e Kosovës. Zgjedhjet historike në veri mund të kontestohen, por janë krijuar komunat. Komuniteti atje nuk ka ndjerë ndonjë dëshirë të bëhen pjesë e këtij procesi, prandaj e kemi gjendjen politike kështu. Kur bëhet fjalë për perspektivat lokale, kur flisni për njerëzit që të integrohen, tashmë ata janë mësuar me realitetin. Në vitin 2013, kemi pasur bojkot të mbajtjes së zgjedhjeve dhe një procesi të tillë. Për këtë arsye, praktikisht, nuk kemi opozitë te serbët në veri”, u shpreh drejtoresha ekzekutive e Nismës së Re Sociale.
Drejtoresha ekzekutive e platformës CiviKos, Donika Emini, shtoi se në këtë proces mungoi transparenca. Një gjë e tillë, sipas saj, mungon edhe tash pas tetë viteve.
“Vet marrëveshja ka qenë pak konfuze, më shumë se cilado tjetër. Edhe pas tetë viteve, mungon transparenca e atij procesi. Ishte shumë e ndarë nga nevoja e serbëve të veriut. Për ne është më se interesante të shohim sesi të vazhdojmë nga pika ku Mitrovica është e ndarë, në Veri dhe Jug. Kjo marrëveshje nuk parasheh se çka do të ndodhë me serbët në jug, kështu që tetë vjet më pas kjo shihet si një zhgënjim i madh, sepse çështja kishte filluar që të normalizojë marrëdhëniet. Por kjo nuk ka ndodhur sepse vet procesi është bërë proces ku prodhohet paqëndrueshmëria”, deklaroi Emini./ Koha