Lëvizjs për Bashkim (LB) ka reaguar pas takimit të djeshëm në Ohër, ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, ku sipas kësaj partie, nuk pati marrëveshje, por vetëm pajtim për të zbatuar planin e BE-së.
“Nga deklaratat e tri palëve pas takimit, Kosova dhe Serbia, pas një presioni të madh të BE-së dhe SHBA-së, janë pajtuar për të zbatuar planin e BE-së, i cili në realitet, jo që nuk zgjidh gjë, por i komplikon tutje raportet Kosovë-Serbi”, thekson LB.
REAGIMI I PLOTË:
Ashtu sikurse që u bë e njohur për publikun, më 18 mars, nuk pati marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nga deklaratat e tri palëve pas takimit, Kosova dhe Serbia, pas një presioni të madh të BE-së dhe SHBA-së, janë pajtuar për të zbatuar planin e BE-së, i cili në realitet, jo që nuk zgjidh gjë, por i komplikon tutje raportet Kosovë-Serbi.
Në Ohër, u vazhdua rruga e gabuar e bisedimeve të qeverive të kaluara, që të bisedohet vetëm për çështjet e brendshme të Kosovës dhe u “harruan” shqiptarët e Kosovës Lindore, pra Kryeministri Kurti “harroi” reciprocitetin si parim të zgjidhjes së problemeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; njohja ndërmjet dy vendeve u zëvendësua sërish me “njohjen faktike” të shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë, njohje, të cilën e kanë “siguruar” shumë herë më parë edhe qeveritë e kaluara; rreziku nga implementimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, u zëvendësua me paqartësinë rreth “vet-menaxhimit” të komunitetit serb në Kosovë; dhe mbi të gjitha, në horizont duken qartazi tendencat e të dyja palëve për vazhdimin e status quo-s dhe zvarritjes së zgjidhjes së problemeve të mbetura në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Lëvizja për Bashkim thekson se qeveria e Kosovës, duke ndjekur rrugën e gabuar, e ka futur vendin në presion të fuqishëm ndërkombëtar për zbatimin e një marrëveshjeje, që, në fund të fundit, nuk është zgjidhje.
Lëvizja për Bashkim, edhe një herë deklaron se pa shtrimin e drejtë për zgjidhje të problemeve të mbetura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra pa reciprocitet në të drejta deri në ripërcaktim të kufijve, nuk do të ketë marrëveshje finale, nuk do të ketë zgjidhje e as pajtim të dy vendeve.
Lëvizja për Bashkim
19.3.2023