Doruntinë Maloku nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë të dielën në një konferencë për medie, se i gëzon fakti që deri në orën 15:00 ka 60 mijë votues më tepër se në zgjedhjet e kaluara. Kjo, sipas Malokut, është një shenjë e forcimit të demokracisë.
“Deri më tani ka pasur një pjesëmarrje të kënaqshme në procesin e votimit dhe ne presim që të ketë një numër dukshëm më të lartë të votuesve sesa në vitin 2014. Deri në orën 15:00 kanë qenë mbi 60 mijë votues më shumë sesa në zgjedhjet e kaluara. Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin masovikisht në zgjedhje. Besojmë që dalja më e lartë në zgjedhje do ta forcojë demokracinë pjesëmarrëse në vend”, ka thënë Maloku.
“Shqetësuese për ne është fakti që dy asamblistë të PDK-së nga Gjakova, Artan Nimani dhe Arben Rogova figurojnë në listën e vëzhguesve përmes OJQ Instituti Rajonal për Demokraci, të Drejta të Njeriut dhe Studime Politike, e akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.
“Po ashtu, Fatmir Kastrati asamblisti AAK-së në Prizren thotë se të gjithë vëzhguesit e partisë së tij në këtë komunë janë regjistruar në emër të po kësaj organizate. Kjo paraqet shkelje flagrante të ligjit për zgjedhjet”, ka thënë Maloku.
Sipas malokut, Lidhja Demokratike e Kosovës e vlerëson lartë reagimin e shpejtë të organeve ndjekëse për të gjitha parregullsitë e raportuara.