Lidhja Demokratike e Kosovës po përcjellë me shqetësim përpjekjet e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që duke iu imponuar presidentit serb, Vuçiq, të jetë pjesë e dialogut në Bruksel, me synim të realizimit të interesave të tij personale, e jo shtetërore.
LDK-ja konsideron se Thaçi, duke u implikuar drejtpërdrejt në fushatë zgjedhore, ka dëshmuar se nuk e përfaqëson aspak unitetin e popullit të Kosovës, por vetëm partinë e tij.
LDK thekson se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura, i ndërmjetësuar nga BE-ja e me praninë e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës që do të dalë nga zgjedhjet e 11 Qershorit, pasi që edhe çështjet të cilat trajtohen janë në kompetenca kushtetuese të ministrive përkatësisht Qeverisë e jo Presidentit.