Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa dhe kandidati i kësaj partie për kryetar të Komunës së Istogut, Haki Rugova, janë shprehur të bindur të shtunën gjatë një tubimi madhështor parazgjedhor se, jo vetëm në Istog, por në tërë Kosovën, LDK-ja do të dalë fituese e votës popullore të qytetarëve dhe partia që do të udhëheqë me më së shumti komuna.
Duke folur para të pranishmëve të mbledhur në sheshin e Istogut, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka shprehur bindjen e tij se Haki Rugova do të rizgjedhet kryetar i Istogut pa balotazh, kurse Istogu i Ibrahim Rugovës dhe burimi i filozofisë së LDK-së do të jetë prijës i fitores së madhe të LDK-së në këto zgjedhje.
“Jemi të parët dhe do ta dalim të parët me votë popullore dhe të parët me numrin e komunave që do të qeverisim në mandatin e ardhshëm. Komuna e Istogut do të vazhdojë të qeveriset nga Haki Rugova dhe LDK-ja edhe në disa mandate tjera. Sepse ne realizojmë programet tona dhe punojmë me përgjegjësi”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se rivalët politikë të LDK-së do të ndëshkohen nga qytetarët e Kosovës për shkak të papërgjegjësisë së tyre.
Mustafa ka theksuar se LDK-ja ka programin më të mirë për zhvillimin e komunave dhe ka njerëzit më të mirë, më të përgatitur e më të përgjegjshëm për të qeverisur. “Ne kemi qeverisur dhe qeverisim me program dhe me mjete demokratike. Nuk shërbehemi me akuza e gënjeshtra sikur rivalët tanë politikë. Kundërshtarët tanë politikë, të inkriminuar deri në fyt, po mendojnë se krejt njerëzit janë sikur ata. Por, qytetari na njeh të gjithëve dhe na gjykon të gjithëve”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se Haki Rugova do të përmbushë projektin e tij për Istogun me përgjegjësi të madhe.
Kandidati i LDK-së për kryetar të Istogut, Haki Rugova, ndërkaq ka kërkuar dalje masive të qytetarëve të Istogut në zgjedhjet e 22 tetorit dhe zmbrapsje të atyre që ai ka thënë se nëpërmjet mashtrimeve po duan të zaptojnë Istogun.
“Mbështetja e madhe për LDK-në që po shoh këto ditë, sidomos e të rinjve, më bën të jem i bindur se Istogu nuk do të ketë nevojë për balotazh. Ne do të fitojmë me të parën”, ka thënë Rugova.
Ai ka premtuar realizimin e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të kësaj komune, të përfshira në projektin e tij dhe LDK-së për qeverisjen e Istogut në 4 vitet e ardhshme. “Ne do të punojmë në të gjitha sferat, si shtyllë e parë, zhvillimin më dinamik ekonomik lokal, me theks në bujqësi e turizëm, që të krijojmë vende të reja të punës”, ka thënë Rugova, i cili ka premtuar zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë për të gjithë banorët si dhe zgjidhjen e problemit të rrjetit të ujitjes së tokave bujqësore.
Rugova ka premtuar edhe ndërtimin e palestrave sportive në të gjitha qendrat urbane si dhe aktivizimin e Bjeshkëve të Istogut, për t’i ndërlidhur ato me aktivitete që e ndihmojnë zhvillimin ekonomik të komunës së Istogut.
Gjatë mandatit të ardhshëm, Rugova ka premtuar ndërtimin e dy shkollave të reja, pajisjen e qendrave të mjekësisë familjare dhe ambulancave si dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Ai ka premtuar zhvillimin e Istogut bazuar në planet zhvillimore dhe hartat zonale, duke theksuar se gjatë mandatit të ardhshëm, përparësi do t’u jepet edhe zonave ekonomike apo parqeve industriale. Rugova ka theksuar se qeverisja që ai do të drejtojë do t’u krijojë kushte investitorëve për të investuar në këtë komunë.