Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se ky subjekt politik të premten do të votojë për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.
“Në përputhje me vendimet të Këshillit të Përgjithshëm, LDK në seancën që pritet të mbahet këtë të premte do të mbështes pakon e ligjeve për transformim të FSK-së. Republika e Kosovës si çdo shtet tjetër e gëzon të drejtën për të pasur forcat e veta të armatosura”.
“Duam të shprehim falënderim ndaj ShBA-së dhe partnerëve tjetër për mbështetjen e këtij transformimi. Jemi munduar që prej shpalljes së pavarësisë që ky transformim të ndodhë i dakorduar edhe me të gjitha komunitetet”.
“Të gjitha komunitet duhet të ndjehen të sigurt sepse forcat e sigurisë janë në shërbim të të gjithëve. Forcat e Sigurisë do të kontribuojnë për sigurinë e paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Hoti ka thënë se gjuha e kryeministrit Ramush Haradinaj ndaj Shefes për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini nuk është e duhur.
“Nuk i shërben kauzës dhe qëllimeve të shtetit për integrim në Bashkimin Evropian”.
Hoti shtoi se edhe qasja e BE-së është jo e drejtë karshi Kosovës në rastin e mos liberalizimit të vizave, por që për vonesën e këtij procesi e ka fajësuar Ramush Haradinajn.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm se momenti është humbur në vitin 2016 nga kryeministri aktual duke e bllokuar kuvendin me dhunë dhe gaz. Kemi pasë 77 vota për demarkacionin – pa votat e Listës Serbe. Dhuna gazi dhe mospërkrahja e ka bërë që ta humbim momentumin”.
“Në asnjë moment nuk jemi në opozitë që të kritikojmë ashpër, por nuk duhet përdorur fjalor jodiplomatik ndaj përfaqësuesve lartë të BE-së”.