Përkundër mosmarrëveshjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të mundohen të gjejnë zgjidhje për të bashkë-qeverisur.
Takimet mes dy partive që siguruan shumicën në zgjedhjet e 6 tetorit, u pezulluan të hënën, pasi dy liderët nuk arritën të merren vesh për ndarjen e posteve, veçanërisht atë të presidentit, që aktualisht e mban Thaçi, raporton KTV.
Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, tha se do të gjejnë zgjidhje për arritjen e marrëveshjes me Vetëvendosjen, duke shtuar se përmes një komunikate për media do të shpalosin edhe detaje të tjera.
Por, në komunikatën e LDK-së nuk thuhet asgjë tjetër përveçse janë të gatshëm që të arrijnë marrëveshje me VV-në dhe se diskutimet me ta do t’i vazhdojnë pa iu nënshtruar presioneve publike.
Lidhur me vazhdimin eventual të takimeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës për arritjen e një koalicioni qeverisës nuk kanë pranuar të deklarohen nga Lëvizja Vetëvendosje.
Ndërsa nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq, tha se nuk do të jenë pengesë për formimin e qeverisë dhe institucioneve të reja të Kosovës.
“Ne do të kërkojmë një minimum respekt, jo vetëm për ne si përfaqësues politikë të serbëve, por për popullin serb, i cili në mënyrë të qartë dhe të paqartë deklaroi se kush dëshiron t’i përfaqësojë ata në institucione”, tha Jevtiqi.
Në takimin e mbajtur të hënën mes kryetarit të Vetëvendosjes, dhe atij të LDK-së, pritej të nënshkruhej marrëveshja mes dy partive, por i njëjti është shtyrë për një kohë të pacaktuar, shkaku i mospajtimeve se si duhet të ndahen postet brenda Qeverisë.