Dorëzohet kërkesa e deputetëve të LDK-së me mbështetje edhe të deputetëve tjerë në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë për anulimin e vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, raporton Ekonomia Online.
Dorëzimin e kërkesës e bënë deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami dhe anëtari i Kryesisë së kësaj partie Visar Azemi.
Bajrami tha se nga ZRRE-ja nuk morën përgjigje pozitive se do ta shqyrtojnë kërkesën e deputetëve dhe se për shtyrjen e vendimit për shtrenjtim të rrymës mund të kryejë punë vetëm qeveria përmes subvencionimit prej 50 milionë eurosh.
“Biseduam për një orë, gjerë e gjatë. Kishte plot arsyetime, nuk morën përgjigje pozitive për shqyrtimin dhe trajtimin e kërkesës. Sipas tyre një vendim të tillë mund ta shtyjë vetëm qeveria, kushdo që është duke e ushtruar detyrën, sepse bëhet fjalë për 50 milion euro diferencë në çmim e cila duhet të vijë nga subvencionim nga paratë e shtetit, përndryshe e lënë vendimin në fuqi. Ajo çka ne argumentuan dhe mendojmë që nuk janë pjekur kushtet për zbatim të kësaj për treg të hapur – është që ne në treg sa i përket furnizimit me energji nuk kemi konkurrencë. Kanë marrë kërkesë vetëm përmes KESCO-s e cila ka ofertu çmim 260% më të lartë. Jemi këtu për të mbrojtur sektorin privat, që është aktori më i madh i punësimit në vend. Ngritja e çmimeve do të sjellë valë të re të inflacionit që do të jetë e papërballueshme”, tha Bajrami.
Ndërkohë, edhe Zyra e informimit e LDK-së në kumtesën për media dha edhe ndonjë hollësi.
“Sot, edhe zyrtarisht është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) kërkesa e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputetëve tjerë mbështetës për anulimin ose shtyrjen e vendimit të ZRrE-së për largimin e rreth 1300 bizneseve nga tregu i rregulluar i energjisë elektrike. Me të njëjtën shkresë është kërkuar edhe anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë për ekonomitë familjare.
Kërkesa e deputetëve të LDK-së dhe deputetëve tjerë nënshkrues të kërkesës janë:
1. Anulimi ose shtyrja e vendimit për së paku një vit, për t’i dhënë kohë tregut të liberalizohet realisht dhe bizneseve të përgatiten.
2. Zbatimi i konsultimeve të hapura dhe publike, në përputhje me ligjin, për çdo vendim me ndikim të madh, përfshirë tarifat e energjisë.
3. Dorëzimi i analizës së plotë në Kuvend, menjëherë pas konstituimit të tij, së bashku me vendimin për liberalizim të tregut.
4. Anulimi i vendimit për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për ekonomitë familjare, me zotimin për të gjetur alternativa që nuk rëndojnë qytetarët.
Deputetët theksojnë se në mungesë të një tregu funksional dhe konkurrues, çdo veprim i tillë për të larguar me forcë bizneset nga tregu i rregulluar do të ketë pasoja të rënda për ekonominë dhe do të përbëjë shkelje të interesit publik.
Kjo kërkesë është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të bizneseve në këtë kohë të ndjeshme
Iniciativa e Lidhjes Demokratike të Kosovës është nënshkruar nga 30 deputetë dhe është dorëzuar në ZRrE nga Nënkryetarja e LDK-së, znj. Hykmete Bajrami dhe anëtari i kryesisë së LDK-së, Visar Azemi.
Ky është vetëm një hap për të mbrojtur interesin e qytetarëve përballë një vendimi që do të ketë pasoja në vështirësimin e jetës së secilit qytetar e biznes në Kosovë. Do të ketë edhe veprime tjera sapo të themelohen institucionet e dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit që janë bllokuar nga Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Informimit të LDK-së.
