LDK-ja dorëzon kallëzim penal në Prokurori ndaj ministrit Peci dhe deputetes Pacolli

Prishtinë | 19 Nën 2024 | 09:45 | Nga Gzim Mujaj

Forumi i Rinisë i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori ndaj ministrit të Bujqësisë Faton Peci dhe deputetes Fitore Pacolli, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i këtij forumi, Paris Guri ka thënë se kanë dorëzuar kallëzim penal kundër deputetes Fitore Pacollit dhe ministrit Faton Pecit.

Ai tha se Pacolli përmes lidhjeve të saj të dukshme me ministrin Peci ia ka ndarë 100 mijë euro vëllait të saj.

“Kemi dorëzuar kallëzimin penal kundër ministri të Bujqësisë, Faton Pecit edhe Fitore Pacollit, pas skandalit që është zbuluar që Fitore Pacolli përmes lidhjeve të saj që në dyshojmë që janë të dukshme me ministrin Faton Peci që ia kanë ndarë 100 mijë euro vëllait të saj. Ditën e djeshme është zbuluar edhe skandali tjetër që përveç vëllait të saj ja kanë nda edhe dajës së saj 100 mijë euro. Kjo tregon që fondet publike, paraja publike, buxheti i Kosovës po keqpërdoret në mënyrë më brutale. Ne i kemi parë edhe reagimet e bujqve të ndershëm, gratë e Krushës që kanë bërë punë të madhe dhe sakrificë të madhe për Kosovën janë refuzuar për të marr grante. Ne i bëjmë thirrje edhe ministrit të Bujqësisë që të jep dorëheqje, i bëjmë thirrje Fitore Pacollit që t’i kthejë paret e qytetareve të Kosovës”, tha Guri.

Ai ka kërkuar që mjetet të kthehen.

Sekretari i Forumit Rinor të LDK-së, Egzon Pacolli, ka thënë se është hera e parë nga pas lufta që dalin listat me numër të regjistrimit dhe jo me emër e mbiemër.

“I bëjmë thirrje ministrisë së Bujqësi që mos t’i postoj rezultatet me numër të regjistrimit të fermerëve, por t’i postoj me emër e mbiemër se kush janë përfituesit e këtyre thirrjeve. Është hera e parë nga pas lufta që dalin listat me numër të regjistrimit dhe jo me emër e mbiemër. Nuk është shpifje kur edhe daja edhe vëllai e kanë pranuar që kanë marr grante, edhe që deklarohen edhe gratë e Krushës që nuk kanë përfituar”, ka thënë ai.

Të ngjashme