Pasi ministria e Arsimit nuk ka arritur t’i sigurojë librat për nxënësit e fillores, për herë të parë pas disa vjetëve, LDK-ja ka kërkuar dorëheqjen e ministres Arbërie Nagavci.
Për këtë kërkesë, ka shkruar sot zyrtarja e lartë e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali.
Mihali ka ironizuar me çështjen e librave dhe me kërkesën e LDK-së. Partinë opozitare e ka quajtur “LDK e 1001 akademikëve”, ndërsa çështjen e mosfurnimizimit më libra shkollë si “temë e madhe dhe jetike”.
“LDK e 1001 akademikëve, 30 e kusur vjet parti, del në konferencë për media me 22 gusht dhe gjithë çfarë propozon për temën e madhe, jetike, të teksteve shkollore për arsimin parauniversitar është: të dorëhiqet Ministrja. OK! Tjetër? Se kaq kishte mundur me e thënë dhe për shembull z. Bekë Berisha i komisionit për Siguri”, ka shkruar Mihali.
Jehona Lushaku – Sadriu nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar dorëheqjen e ministres Nagavci.
Në një konferencë për media të martën, Lushaku – Sadriu ka thënë se blerja e librave nga prindërit, me rimbursim nga buxheti i shtetit, ndodh për herë të parë në historinë e Kosovës.
“Është e paprecedentë për faktin që dhjetë ditë para fillimit të vitit shkollor, MASHT-i ka bërë të ditur se nuk janë siguruar tekstet e vitit shkollor 2023/24, kjo ndodh për herë të parë në histori të Kosovës ku fëmijët mbesin pa tekste. Të dorëzuar tërësisht ministrja përpara një paaftësie për të siguruar librat, qeveria e Kosovës ka vendosur t’ua bartë përgjegjësinë prindërve”, tha Lushaku.