Grupi Parlamentar i LDK-së i mbështetur nga disa grupe parlamentare dhe deputetë të pavarur, ka dorëzuar sot kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, për nesër me datë 22.03.2019, në orën 11.00.
Ata përmes një njoftimi për medie thonë se kjo kërkesë vjen pas ngjarjeve tragjike të javës së fundit, ku në ambiente të kazinove-lojërave të fatit mbetën të vdekur dy të rinj, duket qartë se nuk janë raste të izoluara.
Njoftimi i plotë:
Ngjarjet tragjike të javës së fundit, ku në ambiente të kazinove-lojërave të fatit mbetën të vdekur dy të rinj, duket qartë se nuk janë raste të izoluara. Ekziston rreziku që ngjarje të tilla të shndërrohen në fenomen. Mbrojtja e qytetarëve, ofrimi i sigurisë dhe ambientit të qetë janë përgjegjësi të shtetit të Kosovës. Prandaj, është detyrë parësore e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës që të adresojnë me urgjencë këtë fenomen përmes seancës së jashtëzakonshme. Mos veprimi i institucioneve përkatëse shtetërore në këtë moment do ta vështirësoj adresimin e këtij problemi më vonë.
Lidhur me këtë, Grupi Parlamentar i LDK-së, vlerëson se është e nevojshme që Kuvendi i Republikës së Kosovës të shpreh qëndrimin e vet lidhur me këto ngjarje dhe të kërkojë nga Qeveria që menjëherë të pezullojë aktivitetet e kazinove dhe lojërave të fatit, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëritën më.
Duke pasur parasysh rëndësinë dhe urgjencën e kësaj çështjeje, Grupi Parlamentar i LDK-së i mbështetur nga disa grupe parlamentare dhe deputetë të pavarur, ka dorëzuar sot kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, për nesër me datë 22.03.2019, në orën 11.00.