Pasi u njoftua se është shtyrë për nesër seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit e ftuar nga qeveria për ekipin qeveritar për dialogun me Serbinë, deputetë të LDK-së kanë hyrë në sallën e Kuvendit duke kërkuar mbajtjen e seancës tjetër të jashtëzakonshme, të thirrur nga opozita.
Seanca e thirrur nga opozita, për të diskutuar për dialogun me Serbinë dhe për të votuar një rezolutë që ndalon presidentin Hashim Thaçi që të negociojë për territor të Kosovës, ishte paraparë të mbahej sot me fillim prej orës 10:00, një orë pas seancës së thirrur nga pozita, raporton Koha.net.
Deputetët e LDK-së po thonë se me 40 nënshkrime e kanë thirrur seancën dhe kjo duhet mbajtur po atë ditë sipas kërkesës.
Në sallë tash nuk është deputetja e LDK-së, Teuta Rugova, që gjatë ditës ia bëri kuorumin pozitës, duke dalë kundër qëndrimit të partisë së saj.
Por, LDK-së nuk i janë bashkuar as deputetët që kërkuan mbajtjen e kësaj seanca – ata të Vetëvendosjes e PSD-së.
Dardan Sejdiu i PSD-së tha Për Ekonomia Online se nuk kanë pasur koordinim për të gjitha veprimet me LDK-në dhe VV=në.
“Kjo çka është duke bërë LDK-ja është simbolike dhe deputetët e PSD-së nuk do t’iu bashkohen deputetëve të LDK-së”, tha Sejdiu.