Partia më e madhe opozitare, LDK nuk do t’i përgjigjet pozitivisht thirrjes së presidentit Hashim Thaçi për themelimin e Ekipit Negociator për fazën përfundimtare të dialogut, Kosovë-Serbi.
Në situatën kur Thaçi po kërkon nga spektri politik që të bëhen pjesë e delegacionit të Kosovës, deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja si dhe bën thirrje që të ndalohet siç e quan dëmin që i shkaktohet vendit nga Thaçi si udhëheqës i dialogut.
“Qëndrimi i LDK-së është tashmë publik, mëse i qartë dhe natyrisht se i pandryshueshëm”, tha Lumir Abdixhiku, të shtunën për Gazetën Express.
Abdixhiku shprehet se LDK nuk e përkrah Thaçin për udhëheqës të dialogut. Si dhe mospjesëmarrje në iniciativa individuale. Thotë se subjekti i tij politik kërkon fuqi politike në tavolinën dialoguese me Serbinë. Duke bërë thirrje edhe te partitë opozitare që të mos i bashkohen thirrjes së Thaçit.
“LDK nuk e mbështetë Presidentin në përfaqësimim dialogues me Serbinë. E sheh pjesëmarrjen e tij në fazën finale të dialogut si krejtësisht individuale dhe pa force politike pas; rrjedhimisht si të dëmshme për interesat tona nacionale. Mbi të gjitha, në qëndrimin e saj të fundit, LDK i bën thirrje partive opozitare që të parandalojnë bashkë dëmin që i vjen Kosovës nga një përfaqesim i tillë – jokoncesual, të papërgatitur e në shumë qëndrime edhe naiv”, thotë Ahdixhiku.
Tutje, Abdixhiku për Gazetën Express tha se qeveria aktuale është e paaftë për të marrë përgjegjësitë e saj dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja.
“Kërkojmë zgjedhje të reja, qeveri të fortë dhe pjesëmarrje dialoguese me LDK-në si partinë më të madhe në vend. Këtë kërkesë poltike do ta artikulojmë në secilën formë demokratike të mundshme”, përfundoi ai.
Ndërkohë, Hashim Thaçi dje ka raportuar para Qeverisë për takimin e mbajtur në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ka ftuar pozitën dhe opozitën që themelojnë bashkërisht Ekipin Negociator të Kosovës.
“Ky do të ishte veprim i duhur dhe më racional, i guximshëm që e presin qytetarët e Kosovës. Gjithçka tjetër, të gjitha kritikat e pabaza, e të pamatura tregojnë shenja lodhjeje e mungesë të përgjegjësisë e guximit”, ka theksuar Thaçi.
Presidenti ka paralajmëruar se takimi i radhës në Bruksel do të zhvillohet në një të ardhme të afërt.
Qëndrimet e Abdixhikut po vijnë pas mospajtimeve lidhur me formatin e dialogut me Serbinë, të cilin e ka nisur Presidenti Hashim Thaçi. Ky i fundit ka thënë se nëse Kosova s’përfshihet në dialog atëherë do të mbetet sikur Palestina, një shtet në konflikt të përhershëm me Izraelin.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur javën e kaluar në Bruksel në takimin e fazës finale ndërmjet Hashim Thaçit e Aleksnader Vuçiq, dytë President të shteteve të tyre.
Kosova dhe Serbia kanë biseduar mes vete prej vitit 1999, por, vetëm tash në Bruksel ka pasur nënshkrim të marrëveshjeve, të cilat nuk janë respektuar, shumica prej Serbisë.