LDK largohet nga seanca, kërkon nga partitë në pushtet ta bëjnë vetë kuorumin

Prishtinë | 13 Kor 2018 | 10:58 | Nga Valbona Bytyqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës është larguar nga seanca e Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që mazhoranca të bëjë kuorumin vetë.

Armend Zemaj nga LDK kërkoi që të bëhet kuorumi nga mazhoranca, përndryshe nuk do të qëndrojnë në sallë. Ai, madje, tha se nuk është votuar rendi i ditës, andaj edhe nuk mund të fillohet me seancë, raporton Ekonomia Online.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, veprimin e LDK-së e ka quajtur inskenim.

Memli Krasniqi “Prej 27 kanë qenë 7 në sallë është tyre që nënshkruhen me m’i marrë mëditjet dhe vijnë me thanë që duhet kuorumi. Ky është inskenim”, theksoi Krasniqi.

Ndërkohë, Ahmet Isufi nga AAK e ka quajtur të turpshëm vendimin e partisë më të madhe në opozitë.

“Është e turpshme se pse sot është e premte dhe si duket kanë nevojë me shku në vikend ma herët. Të gjithë deputetët pavarësisht pozicioneve politike jemi të barabartë këtu dhe nuk ka nevojë më bë vlerësime të tilla. Kuorum pat sepse ishin në sallë deputetët. Kjo është bërë qëllimisht për ta bllokuar kuvendin”, theksoi Isufi.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, në anën tjetër, tha se bojkoti i Kuvendit është strategji politike dhe veprim me vend.

“Kisha sugjeru që mos me hy në diskutime të tilla se një subjekt politik çka po bën me elektoratin e vet. Në këtë kuptim na veç harxhojmë kohë këtu se çka po bën LDK. Sa i përket kuorumit, nuk është faji i opozitës, në përgjithësi marrja pjesë deputetëve është e ulët. Një shembull të tillë është duke e dhënë edhe kryetari i Kosovës, 44 përqind të seancave ka marr pjesë kryetari i Kuvendit në seanca”, pohoi Konjufca.

Hajdar Beqa nga PDK tha se Konjufca do të duhej të mbante agjendën e kryetarit të partisë së tij dhe të deputetëve e jo të kryetarit të Kuvendit. Ndërkaq, Albin Kurtin e akuzoi se qëndron në seancë vetëm sa për t’u nënshkruar dhe për të marrë mëditjen.

Ndërkohë, ka reaguar deputeti i VV-së Glauk Konjufca, duke kritikuar Kryeparlamentarin Kadri Veseli për mungesë në seanca. Konjufca ka kritikuar edhe presidentin Thaçi për mosgatishmërinë për të raportuar para Kuvendit.

Ai, madje, deputetin e Partisë demokratike Hajdar Beqa e ka quajtur shërbëtor.

Në anën tjetër,  deputeti Mialkm Zeka ka krahasuar deputetët me profesorët e universitetit që nuk shkojnë kurrë në ligjërata, ndërkohë që punojnë më shumë se 2 vende punë në universitete private, raporton Ekonomia Online.

 

 

 

Të ngjashme