Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë lëshuar sallën e Kuvendit pas debatit lidhur me vazhdimin e procesit të zgjedhjes së nënkryetarëve, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se pas deklarimit të PDK-së se nuk do të marrë pjesë në seancë dhe se për këtë çështje do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, procesi duhet të vazhdojë me votimin e kandidatit të propozuar nga LDK-ja.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, kundërshtoi këtë qëndrim, duke thënë se nuk mund të vazhdohet me votimin përderisa nuk është zgjedhur kandidati i dytë dhe se kalimi te grupi i tretë parlamentar nuk është i drejtë.
“Nuk kemi të drejtë të vazhdojmë seancë përderisa kandidati i dytë nuk mund të zgjidhet. Ne vërtetë konsiderojmë që nuk janë shterur të gjitha mundësitë, kalimi te grupi i tretë parlamentar nuk është i drejtë. Nuk marrim pjesë në këtë votim”, tha ajo.
