Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, në një konferencë për media, ka bërë të ditur edhe njëherë qëndrimin e kësaj partie lidhur me mungesën e shumicës në Kuvend.
Hoti tha se vendi duhet të shkoj në zgjedhje të reja, pasi vazhdimi në këtë mënyre i qeverisjes dëmton proceset e vendit.
“Seanca e Kuvendit të Kosovës sot u ndërpre në mungesë të shumicës parlamentare. Në fakt, ky koalicion asnjëherë nuk ka pasur shumicë në Kuvendin e Kosovës, përveç ditës kur u zgjodh Qeveria”.
“Vendi nuk mund të qeveriset nga koalicioni i pakicës, i cili nuk ka legjitimitet. Grupi Parlamentar i LDK-së nuk do të përkrahë vazhdimin e kësaj forme të qeverisjes, ku një pakicë ka uzurpuar institucionet shtetërore”.
“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja që të mos dëmtohet demokracia. Gjuha e ashpër dhe fyese e koalicionit të pakicës ndaj partive opozitare e thellon më tutje krizën institucionale. Ne ftojmë për përgjegjësi politike dhe institucionale nga të gjithë. Ne do të punojmë me të gjitha forcat politike opozitare dhe forcat e tjera progresive në Kuvendin e Kosovës që të dalim nga kjo krizë institucionale, vetëm përmes organizimit të zgjedhjeve të lira”, tha Hoti
Insistimi për të vazhduar me këtë dhunim të demokracisë, tha Hoti, do të dëmtojë proceset afatgjate politike në Kosovës.