Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur këtë të premte mbledhjen e Kryesisë, me ç’rast është marrë vendim që të thirret konventa programore 29-30 prill, raporton Ekonomia Online.
Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për medie, ka thënë se vendimi është marrë për të diskutuar “temë të rëndësishme”.
Numri një i LDK-së, ka thënë se në këtë konventë do të ftohen kryetarët e komunave nga LDK-ja, asambleistët e kryetarët e degëve.
“Është marrë vendim që të thireret konventa programore e LDK-së me datë 29 dhe 30 prill të këtij viti. Në këtë konventë programore më të madhen të organizuar LDK-ja do të ftohen të gjithë anëtarët e Kuvendit të LDK-së, do të jenë gjithë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, deputetët, kryetarët e komunave nga radhët e LDK-së, 209 asamblistët e pushteteve lokale të LDK-së, anëtarët e forumit të rinisi, forumit të gruas, dhe gjitha strukturat tona në një punim dy ditor kur do të nisim organizimin e programit tonë politik vetëqeverisës për Kosovën”, tha ai.
Abdixhiku konfirmoi se pas kësaj Konvente do të nisin edhe konsultimet e brendshme dhe takimet me qytetarët e grupet e tjera të interesit.
“Pas konventës do të nisin konsultimet e brendshme me qytetarët në qytetet e Kosovës, me grupet e interesit për të marrë brengat, mendimet, pikëpamjet e tyre për çështje jetike për ta dhe do ta nisim procesin konsultativ me ekspertë të fushave gjithandej”, deklaroi ai.