LDK, nga parti shtetformuese në “king-maker”, kur Abdixhiku flet si rektor moral e jo si sfidues i pushtetit!

Prishtinë | 01 Shk 2026 | 18:55 | Nga Fadil Maloku

Nëse do të bënim një analizë më të thukët sociologjike të fjalimit të kryetarit të LDK-së në Kuvendin e mbajtur, paraprakisht do të duhej ta “ushtronim” një parahyrje (preface) në formë deduksioni. E për fillim po konstatojmë se analiza jonë i ka parasysh gjithnjë agjentët e jashtëm socialë, siç janë apatia qytetare dhe polarizimi politik, që për një kohë të gjatë gjatë vitit të kaluar ishin shndërruar edhe në normë të satisfaksionit moralo-politik. Në një kontekst të tillë, ku çdo fjalim publik i lidershipit opozitar nuk ishte thjesht një akt komunikimi, por edhe një mjet i sofistikuar me përplot eufemizma që, pak a shumë, përveç simbolikës dhe kapitalit politik, nuk delegonte as porosi e as mesazhe të qarta e konkrete që do ta ndryshonin perceptimin e qytetarëve për sagën e ngërçit të krijuar, me dhe pa fajin e tyre. Në këtë kontekst duhet parë edhe Kuvendin e LDK-së, po edhe vetë fjalimin e stërzgjatur dhe monoton të Lumir Abdixhikut, sikur të ishte ai ndonjë kongres shkencor e jo kuvend partiak. Aty pamë një fjalim shumë më patetik sesa praktik e pragmatik, shumë më normativ sesa programor, shumë më moralizues sesa mobilizues, shumë më defensiv sesa hegjemon dhe, mbi të gjitha, një fjalim shumë më elitist sesa popullor, pra larg një fjalimi që do t’u drejtohej anëtarësisë dhe gjithë qytetarëve. Por, çfarë e karakterizoi këtë fjalim në këtë Kuvend?

Së pari, në këtë fjalim ai fliste nga pozicioni i një opozite moraliste, e cila për imperativ nuk e kishte ofertën apo alternativën për marrjen e pushtetit, por ruajtjen e “karriges” magjepse, të cilën e ripërsëriti jo si nevojë për ndryshim kursi, por si mundësi për ta “ripushtuar” atë përmes gishtërinjve të delegatëve të pranishëm. Gjë që edhe ia arriti, ngase nga rizgjedhja e tij si kryetar i LDK-së do të përfitojë vetëm ai dhe klani që e “mirëmbajtën” status quo-në, por jo edhe anëtarësia që po priste me kureshtje reflektimin për ndryshim. Mirëpo, ajo që çdo anëtar të LDK-së e bën kureshtar lidhet me standardin e dilemës që ky subjekt do të vazhdojë të mbajë përballë një “dinosauri” tashmë në “dhomë”, sikurse është LVV-ja. Pra, a do të vazhdojë narrativa kundërshtuese ndaj PDK-së dhe AAK-së dhe ajo refuzuese ndaj VV-së, e cila, sipas gjykimit tim, e solli edhe debaklin e ndodhur?

Së dyti, në fjalimin e Abdixhikut lehtësisht mund të identifikohej diskursi i një elite politike në kërkim të rilegjitimimit, në një kontekst ku ajo nuk është më as parti shtetformuese, as parti themeluese e rendit politik, por një subjekt i rëndomtë që për prioritet imediat ka rikthimin e namit të humbur. Thënë ndryshe, rizgjedhja e Lumir Abdixhikut nuk përbën ndonjë strategji të riorientimit të LDK-së në skenën politike, në një kohë kur VV-ja ka dominim pothuajse absolut, por më shumë ishte një taktikë e konsolidimit defensiv, ku stabiliteti organizativ, racionaliteti institucional dhe frika nga fragmentarizimi dolën fituese mbi ambicien për fitore politike dhe mobilizim gjithëkombëtar. Ky pozicionim nuk ofron kurrfarë garancie se LDK-ja ka ndërmend të futet në një konkurrencë të ashpër me subjektet e tjera politike. Natyrisht, duke hyrë në “frontin” politik pa identitet dhe vizion të qartë programor, gjasat për rritje vazhdojnë të minimizohen, ndërsa në një të ardhme të afërt mungesa e këtij vizioni mund ta sjellë këtë parti buzë greminës ekzistenciale në skenën politike të Kosovës.

Së treti, një tjetër mangësi e fjalimit të Abdixhikut, që vlen të theksohet, ka të bëjë me retorikën kalimtare ndaj pushtetit absolut të VV-së – një kritikë inerte dhe pa invencion të mjaftueshëm. Sigurisht, kritika e butë e fjalimit të tij, në prag të zgjedhjes së Presidentes/Presidentit, përcjell mesazhin e gatishmërisë për ta votuar atë me ose pa kushte, çka reflekton një dobësi tjetër shtesë të dukshme të lidershipit. Shikuar përmes dioptrisë sociologjike, kjo indiferencë e heshtur e shprehur në fjalim rrezikon të prodhojë sërish një opozitarizëm reaktiv, ndërkohë që LDK-ja, në perspektivën e saj konsoliduese, ka nevojë shumë më tepër për një opozitarizëm transformues, edhe për faktin se është parti tipike e djathtë. Krijohet përshtypja se LDK-ja ka vendosur të vazhdojë avazin e vjetër të mungesës së një karizme mobilizuese, e cila do të thërriste për veprim konkret në emër të një kauze të re. Pa dyshim, këtë pozicionim oportunist e ka injektuar edhe pasiguria e Abdixhikut në votat e delegatëve, gjë që u dëshmua edhe në rezultat: 55% pro dhe 45% kundër, që në fakt ishte një “fitore e Pirros”, ku “shpata e Demokleut” e opozitarizmit të brendshëm klanor do t’i qëndrojë vazhdimisht mbi kokë. Kjo gjendje do ta detyrojë atë që, edhe në periudhën e kinse konsolidimit, të paraqitet i kujdesshëm, i vëmendshëm dhe i sterilizuar nga konfliktualiteti real politik, sidomos në temat e “nxehta”, si përzgjedhja e Presidentes, ku nga ky subjekt, ashtu si në vitin 2021, do të kërkohet fleksibilitet dhe oportunizëm i skajshëm.

Po ashtu, duhet theksuar se LDK-ja, si parti që e ka “hipotekuar” institucionalizmin si identitet, duhet ta ridëshmojë këtë edhe në betejat e reja krizologjike parlamentare që pritet të shfaqen në horizont, pas konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë Kurti 3. Në të kundërtën, duke mos qenë në gjendje të prodhojë një narrativë autentike që do ta rriste interesimin dhe perceptimin e brezit të ri, ajo rrezikon të mbetet vetëm një “king-maker” i skenës politike kosovare, ashtu siç i ndodhi për një periudhë AAK-së.
Duhet potencuar se fjalimi i Abdixhikut në Kuvend vetëm e ridëshmoi një pozicion opozitar të njohur, me retorikë pa rrezik për rivalët politikë, por të mjaftueshme për vetë lidershipin e tij. Në fakt, fjalimi nuk përmbante as goditje politike, as sfidë reale për pushtetin, e as një vizion të qartë që do të artikulonte një kauzë të djathtë konkurruese ndaj pushtetit absolut të Albin Kurtit në katër vjetët e ardhshëm.

Në vend të një diskursi që do t’i trondiste delegatët me ofertë dhe kauzë konkrete, Abdixhiku ofroi fjalë patetike të pastruara, fraza monotone dhe kritika sterile moralizuese, që nuk rrezikuan as partnerët e tjerë opozitarë e aq më pak pushtetin në ardhje. Ai u ribë kryetar i LDK-së, por gjasat që i njëjti të shndërrohet në lider shtetëror që prodhon ide, menaxhon kriza dhe identifikon nevoja konkrete qytetare e kombëtare mbeten minimale, për aq kohë sa VV-ja do të qeverisë pa skandale e afera të mëdha.

Themi kështu, shkaku se liderët karizmatikë nuk flasin si “rektorë moralë” para masës amorfe, por e sfidojnë pushtetin pareshtur dhe në çdo hap me argumente të fuqishme, qofshin ato ekonomike, politike apo sociale. Një lidership që rri i mbyllur në zyra dhe “dashurohet në karrigen” partiake, pa guxim për ballafaqim ideologjik e moral-politik, ashtu siç vepronte pareshtur dikur Albin Kurti gjatë ngritjes së tij, e ka betejën e humbur para se ajo të fillojë. Ndërkaq, për luftën as që mund të bëhet fjalë. Së fundi, në kushtet dhe rrethanat kur një pushtet pothuajse absolut pritet të instalohet, Abdixhiku dhe i gjithë spektri opozitar duhet ta kuptojnë se i njëjti nuk mund të mposhtet me etikë institucionale, as me retorika shterpe, e as me akuza joargumentuese e me aleanca improvizuese mediatike, por vetëm me një narrativë të re e të fortë programore të parimit dhe logjikës kanunore të ndëshkimit simetrik (“dhëmb për dhëmb”, “fyerje për fyerje” e “dëm për dëm”), e cila duhet të përditësohet kohë pas kohe, sidomos tani kur rendi i vjetër përreth nesh po shembet me shpejtësi drite dhe kur gjasat për kërcënime ndaj interesave të shtetit dhe të kombit kanë nevojë për kauza të reja mobilizuese. E nëse ato nuk i “kap” pushteti e as opozita inerte, ekziston mundësia reale e daljes së ndonjë lëvizjeje të re në skenë…

Të ngjashme