Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kanë nisur me mbledhjen e 40 nënshkrimeve për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme pas vendimit të ZRrE-së për shtrenjtimin e rrymës, raporton Ekonomia Online.
Në një konferencë për medie, Abdixhiku, tha se do të kërkojnë edhe shkarkimin e bordit të ZRrE-së për të cilët thotë se janë treguar të paaftë në menaxhimin e kësaj situate.
“Sot në Kuvend, pushteti refuzoj të diskutojë mbi propozimin e ri. Dhe ky refuzim, është shenjë që pushteti që i ka krejt, nuk duron as debatin e as argumentin si mjet. Meqë refuzoj diskutimin për një temë kaq me rëndësi, ne refuzuam diskutimin e temave të tjera që ishin në rend. Kuvendi s’mund të ketë prioritet tjetër.
Prandaj ne kemi nisur mbledhjen e nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme, me qëllim që Kuvendi të dalë me qëndrim që refuzon këtë vendim. Do të kërkojmë dhe shkarkimin e Bordit të ZRRE-së, të vendosur nga Qeveria Kurti, që përgjatë gjithë kësaj kohë kanë treguar jo kompetencë”, u shpreh Abdixhiku.
Po ashtu ai shtoi se do të konsultohen me ekspret ligjor për të ndjekur rrugët institucionale në parandalimin e shtrenjtimit të rrymës.
“Do të kërkojmë dhe mbajtjen përgjegjës të zyrtarëve qeveritarë, që në kohën kur vendet e rajonit merreshin me krizë, të njëjtit kanë injoruar gjendjen tonë të rënduar në plotni.
Dhe, mbi të gjitha, më e rëndësishmja, do të kërkojmë refuzimin e propozimit të tanishëm, dhe ndërmarrjen e masave që LDK tashmë i ka propozuar më 31 janar, masa të dërguara në ZRRE, në ZKM, në MFT dhe në ME.
Mbi të gjitha, do të konsultohemi me ekspertët ligjor dhe kushtetues, për të ndjekur rrugët ligjore e institucionale, që refuzojmë këtë propozim të dëmshëm dhe diskriminues”tha ai, raporton EO.
“Ne kemi nisur mbledhjen e 40 nënshkrimeve për seancë të jashtëzakonshme me qëllim që Kuvendi të dalë me qëndrim që e refuzon këtë vendim qeveritar dhe të ZRrE-së. Do të kërkojmë edhe shkarkimin e bordit të ZRrE-së të vendosur nga Qeveria Kurti që përgjatë gjithë kësaj kohe kanë treguar jokompetencë të plotë, derisa do të kërkojmë edhe mbajtjen përgjegjës të zyrtarëve qeveritarë që në kohën kur vendet e rajonit merreshin me krizë kanë injoruar krizën”, ka thënë Abdixhiku.