Anëtarët e Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, Muharrem Svarqa dhe Anton Quni po qëndrojnë në Gjermani me ç’rast po takohen me struktura të degës.
Sipas një komunikate për medie nga kjo parti, në takimin me Kryesinë e Degës së LDK-së në Gjermani, të mbajtur sot në Hanover të Gjermanisë, diskutuan për organizimin e degës në Gjermani, dhe i falenderuan për aktivitetin shumëvjeçar për pavarësinë e Kosovës, transmeton Ekonomia Online.
“Ne do të jemi së bashku për të organizuar aktivitetin tonë tek bashkëatdhetarët tanë në Gjermani, ku është i vendosur numri më i madh i mergimtarëve”, ka thënë Hoti.
“Në qeverinë e ardhshme do të punojmë ngushtë me këta veprimtarë për të dëgjuar me kujdes kërkesat e tyre për të lehtësuar udhëtimin e tyre në Kosovë dhe për të promovuar investimet e tyre në vendlindje”, ka thënë tutje ai.
“Do të punojmë shumë për të ndihmuar arsimin dhe kulturën shqiptare në Gjermani, në këtë vend mik”, është zotuar Hoti.
Sipas komunikatës, aty u bisedua gjatë poashtu që këta veprimtarë të ndihmojnë partinë simotër të LDK-së që është CDU-ja e Kancelares Merkel dhe të inkuadrohen më shumë në institucionet gjermane me përfaqëuses të shqiptarëve.
“Gjenerata e tretë e mërgimtarëve tanë në Gjermani dhe ne vendet e tjera do të jetë burim i kuadrove të ekpsertëve për qeverinë e ardhshme të Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Anëtarë të Kryesisë së LDK-së po qëndrojnë në Gjermani në Akademinë Përkujtimore me rastin e përvjetorit të Ministrit të Mbrojtjes, Kolonel Ahmet Krasniqi, të organizuar nga dega e LDK-së në Gjermani.