Bashkimi Evropian (BE) edhe zyrtarisht i ka paralajmëruar zyrtarët e institucioneve të vendit se liberalizimi i vizave me Kosovën kërkon kohë, pasi të gjitha (28) shtetet anëtare duhet të marrin vendimin për këtë çështje në mënyrë individuale. Madje zyrtarë nga BE-ja i kanë thënë gazetës “Zëri” se para se të merret vendimi përfundimtar për heqjen e vizave institucionet e Kosovës duhet ta luftojmë krimin e organizuar dhe korrupsionin e nivelit të lartë.
Duke folur për liberalizimin e vizave të Kosovës deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, ka thënë për “Zërin” se fajtori kryesor nëse nuk marrim vizat as këtë vit është Qeveria aktuale, e cila i ka sjellë vetëm dëme vendit.
“Partitë në Kuvendin e Kosovës e kanë dhënë fjalën e vet sa i përket liberalizimit të vizave, por dështimi po vjen nga një qeveri e pafuqishme, e cila e ka humbur rrugën e vet. Konsideroj që në këto kushte kjo Qeveri do të duhej të jepte dorëheqje sepse ka dhënë premtime shumë të forta se do t’i liberalizojë vizat këtë vit. Po ashtu Evropa po e sheh se nuk mund t’ia liberalizojë vizat një shteti ku në pushtet ka një qeveri, e cila është e dështuar dhe e cila nuk është duke kryer detyrat e veta”, ka thënë ai.
Avdyli tutje vlerëson se liderët shtetërorë nuk janë fokusuar mjaftueshëm në përmbushjen e kritereve për liberalizim.