Grupi Parlamentar i LDK-së ka thënë se nuk i bashkohet “turit lobues – turistik” të kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, duke konsideruar se liberalizimi i vizave nuk sigurohet përmes veprimeve të tilla.
Për të kontribuuar në përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave, kryetari i Kuvendit duhet të sigurojë mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit të Kosovës për të aprovuar ligjet që janë të lidhura me MSA-në dhe në mënyrë specifike me Agjendën e Reformave Evropiane, thekson LDK.
“Si kryetar i partisë në koalicion, kryetari i Kuvendit duhet të kujdeset që Qeveria të përmbushë obligimet karshi agjendës për integrim evropian të Kosovës”.
Për informim të opinionit, Grupi Parlamentar i LDK-së thotë se nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare nga kryetari i Kuvendit lidhur me qëllimet e këtij udhëtimi, agjendë të takimeve dhe detale të tjera të rëndësishme për të planifikuar si duhet këtë vizite zyrtare.
“Udhëtimet e tilla janë shpenzim i panevojshëm i parasë publike dhe dërgojnë mesazh të paqartë tek shtetet e BE-së”, thekson LDK-ja.