Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë, se pavarësisht se a do të formohen apo jo grupet për hartimin e planeve për tema të përfolura, si dialogu, Asociacioni, reformat zgjedhore dhe transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga to, sipas tij, nuk mund të ketë asgjë relevante.
Hoti tha se aktualisht në Kuvend nuk ka një shumicë parlamentare dhe pa shumicën parlamentare, nënvizoi ai, nuk mund të udhëhiqen institucionet.
“Duhet të dakordohemi se si vendi të shkojë në zgjedhje të reja dhe gjatë kësaj periudhe duhet të merremi vesh se si duhet të adresohen temat e rëndësisë nacionale në mënyrë që të mos paralizohen institucionet. Kjo është krejt esenca e këtyre tryezave. Çdo gjë tjetër që shkon përtej tyre, Lidhja Demokratike nuk i mbështetë dhe nuk bëhet pjesë e tyre”, tha Hoti.
Takimet mes partive politike, vijoi Hoti, mund të vazhdojnë, por qëllimi sipas tij, është që vendi të shkojë sa më parë në zgjedhje me një dakordim të përbashkët për datën. Ai tha se qëllimi i LDK-së është që vendi të ketë institucione legjitime dhe funksionale.
“Mbledhjet e Kuvendit dështojnë, nuk ka kuorum. Mbledhjet e komisioneve parlamentare kanë nisur të dështojnë. Javën e kaluar edhe mbledhja e qeverisë dështoi. Pra, është një krizë”, tha Hoti.