Drita të shtunën (sot) i nis përgatitjet për ndeshjen e ardhshme evropiane. Të enjten e ardhshme, më 24 shtator, Drita luan në Varshavë të Polonisë ndaj Legia Warszawa, kampiones në fuqi të Polonisë.
Kampionia e Kosovës për herë të parë do të luajë në raundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës. Ndeshjen ndaj Legias së njohur e siguroi falë fitores 2:0 ndaj Sileksit maqedonas, të enjten mbrëma në Shkup. Në fakt është hera e parë që ndonjë skuadër kosovare luan në raundin e tretë kualifikues të garave evropiane. Deri më tani limiti ishte raundi i dytë, transmeton KOHA.
Por Drita shumë lehtë ka mundur të takohet me Legian. Skuadra gjilanase në gjysmëfinale të raundit parakualifikues të Championsit fitoi 2:1 ndaj Inter d’Escalades të Andorrës. Në finale të raundit parakualifikues është dashur të takohet me Linfieldin e Irlandës së Veriut. Por atë ndeshje gjilanasit e humbën me rezultat zyrtar, pasi disa lojtarë u infektuan me COVID-19 dhe autoritetet zvicerane kërkuan karantinim të delegacionit të Dritës.
Pikërisht Linfieldi luajti me Legian në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Ndaj Linfieldit, Drita ishte favorite në letër, por rastet me COVID-19 ia pamundësuan përballjen.
Legia fitoi vetëm 1:0 ndaj Linfieldit, kurse në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampionëve skuadra polake humbi 2:0 pas vazhdimeve nga Omonia qipriote.
Drita vazhdoi garimin në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Evropës, kurse Legia në raundin e tretë. Pasi kaloi Sileksin, Drita përballet tani me klubin polak.
Fituesi i ndeshjes Legia – Drita takohet me Qarabagun azerbajxhanas në raundin e plejofit. Por Legia është favorite e madhe ndaj kampiones kosovare.
Përvoja e gjatë evropiane, cilësia e lojtarëve, cilësia e ligës janë ndër faktorët që e bëjnë Legian favorite të madhe ndaj Dritës.