Legjenda bullgare shpërthen në lot kur pyetet për thirrjet raciste ndaj Anglisë

Prishtinë | 18 Tet 2019 | 13:56 | Nga Ekonomia Online

Ish-futbollisti legjendar i Bullgarisë, Hristo Stoichkov, ishte dukshëm i emocionuar pas thirrjeve raciste të tifozëve bullgarë ndaj futbollistëve me ngjyrë në Kombëtaren e Anglisë, përderisa flistë për ndëshkimet e mëdha që mund ta presin tani Kombëtaren bullgare.

UEFA e ka paditur Federatën e Futbollit të Bullgarisë për sjelljen raciste të tifozëve të saj gjatë disfatës me rezultat 6:0 në ndeshjen e “Tre Luanëve” kundër Bullgarisë, në kuadër të kualifikimeve për EURO 2020, transmeton Gazeta Express.

Përballja e së hënës në Sofje u ndal në dy raste gjatë pjesës së parë, pasi që tifozët e Bullgarisë në tribuna po i ofendonin futbollistët me ngjyrë të Anglisë me thirrje raciste.

Protokolli i ri i UEFA-s thekson se gjyqtarët e kanë autoritetin për ta suspenduar ndeshjen dhe në fund mund të vendosin ta braktisin plotësisht ndeshjen në rrethana të tilla.

Dy hapat e parë të një plani trehapësh u implementuan mbrëmë në kryeqytetin bullgar, pasi që tifozëve fillimisht iu kërkua ndalja e thirrjeve raciste e pastaj ndeshja u pezullua sërish për pak kohë.

Në fund u mor vendimi për të mos e braktisur ndeshjen, që përfundoi me rezultat 6:0 për anglezët, mirëpo një numër i tifozëve bullgarë u larguan nga stadiumi me forcë nga rojet e sigurimit.

“Ata tifozë nuk do të lejohen në stadiume. Ose mund të kemi ndëshkime edhe më të rënda, si në Angli para disa viteve. Pesë vjet pezullim, pa pjesëmarrje në gara”, tha Stoichkov kur pyetet për zgjidhjen e mundshme ndaj këtij problemi.

“Kështu që, një herë e përgjithmonë, këta persona të varur nga droga… Njerëzit nuk e meritojnë të vuajnë. A mendoni se po ndihem rehat?”

Pasi i tha këto fjalë, ish-sulmuesi i Bullgarisë pastaj shpërtheu në lot në studion televizive.


Fjalë Kryesore:

Të ngjashme