“Super Mario” Basler në moshën 50 vjeçare është sërish futbollist aktiv!
Kampioni europian me Gjermaninë në vitin 1996 është bashkuar me ekipin TSG Eisenberg që bën gara në ligën e 8-të gjermane.
Zëdhënësi i klubit i tha gazetës “Rheinpfalz” se Basler do të jetë në dispozicion si “lojtar dhe këshilltar”. Në Eisenberg, ku Basler kohëve të fundit kishte hapur një shisha-bar, ai do të luajë përkrah djalit të tij Maurice, njofton Klan Kosova.
Golashënuesi më i mirë i Bundesligës në sezonin 1994/1995 dhe autor i golit për Bayernin në finalen “tragjike” të Ligës së Kampionëve ndaj Manchester United më 1999, karrierën profesionale e përfundoi zyrtarisht në vitin 2004, pas një paraqitjeje në Al-Rayyan në Katar. Më vonë kishte bërë edhe disa eksperimente jozyrtare me ekipe të rangjeve të ulëta.
Në Bundesligë luajti deri në moshën 35 vjeçare, ku mbrojti ngjyrat e Kaiserslautern, Werder Bremen dhe Bayern Munich (kampion gjerman më 1997 dhe 1999). Si trajner punoi në ligën e tretë me Jahn Regensburg, Wacker Burghausen dhe RW Oberhausen.