“Legjitimimi i mashtrimit dhe i hajnisë”

Prishtinë | 15 Tet 2017 | 09:24 | Nga

Shkeljet zinxhirë të bëra në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që nga viti 2006, duke mos inkasuar taksën për shfrytëzim të ujit nga kompanitë e ambalazhimit, i ka amnistuar kryeministri Ramush Haradinaj.

Në një mbledhje të Qeverisë të mbajtur më 3 tetor, ai në mënyrë të kundërligjshme ka marrë vendim që të aprovojë faljen e borxheve për këto kompani, përmes ndryshimit të një neni të Udhëzimit administrativ për strukturën e pagesës së ujit, shkruan sot në “e diela me Koha Ditore”.

Megjithatë, ky vendim bie ndesh me parimet dhe legjislacionin në fuqi. Kjo pasi me Ligjin për ujërat dhe atë për Mbrojtjen e Mjedisit është e caktuar që “shfrytëzuesi i ujit të paguajë për gjitha shpenzimet që dalin nga ofrimi i shërbimeve në të cilat do të jenë të përfshira edhe shpenzimet e resurseve ujore për shfrytëzim”.

Sipas kësaj, falja e borxheve, që konsiderohet të jetë rreth 59 milionë euro, nuk do të mundë të bëhet me vendim ekzekutiv të Qeverisë, pa marrë aprovimin e Kuvendit.

Për këtë shoqëria civile i ka kërkuar kryeministrit Haradinaj që të revokojë këtë vendim, ndërsa hetuesisë i ka kërkuar fillimin e hetimeve për personat dhe zyrtarët e përfshirë në këtë vendim, siç e quajnë të jashtëligjshëm, si dhe për motivet financiare të këtij vendimi.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme