Kur një klub e fiton ligën shtatë vjet rresht, atëherë pret që tifozët e skuadrave të tjera të përkrahin çdo skuadër që duket pretendente serioze. Por kështu nuk është në Gjermani.
Ndeshjet e Bundesligsë rikthehen këtë fundjavë pas pushimit dimëror, ndërsa Leipzigu gjendet në pozitën e parë në tabelë dhe është favorit për t’i dhënë fund dominimit të Bayern Muenchenit.
Pak tifozë gjermanë pëlqejnë forcën financiare të Bayernit apo tendencën e tij për të marrë talentet më të mira nga skuadrat e tjera, por tifozët gjermanë nuk e pëlqejnë as Leipzigun, shkrimin e AP.
Tifozët kundërshtarë shpesh mbajnë pano kundër gjigantit të pijeve energjike “Red Bull”, që është motori prapa suksesit të Leipzigut.
Pos Leipzigut dhe Bayernit, Borussia Moenchengladbach po ashtu është në garë për titull dhe është bërë skuadër e preferuar e tifozëve neutralë.
I krijuar një dekadë më parë, Leipzigu po krijon traditën e vet me kalimin e kohës. Suksesi i Leipzigut këtë stinor është ndërtuar me skuadrën më të re në Bundesligë, në lojë të pandalshme ofensive dhe me 18 golat e sulmuesit Timo Werner.
Problemi nuk është vetëm te paratë e Red Bullit që janë derdhur te Leipzigu. Futbolli gjerman ka edhe skuadra të tjera që shërbejnë si billborde të korporatave të mëdha. Aty është Bayer Leverkuseni, që përfaqëson gjigantin farmaceutik “Bayer” dhe Wolfsburg, që drejtohet nga gjiganti i automobilave “Volkswagen”.
Ngritja e shpejtë e Leipzigut drejt sukseve – tepër e shpejtë për shumicën – është përcjellë me kritika për brishtësinë e rregulloreve. Krerët e klubit kanë gjetur mënyra kreative për të mbrojtur ndikimin e Red Bullit në dhomën e drejtorëve apo diku tjetër.