Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Grupi për Studime Politike dhe Juridike (GLPS) dhe Instituti GAP, kanë publikuar raportin tematik “Transparenca dhe llogaridhënia e institucioneve publike gjatë dhënies së lejeve dhe licencave”, raporton Ekonomia Online.
Raporti vë në pah se komunikimi ndërmjet institucioneve lokale dhe qendrore është i mangët, duke bërë kështu që të vështirësohet marrja e lejeve dhe licencave për investitorët potencialë.
Thuhet në raport se disa komuna nuk janë në dijeni për planin hapësinor të vendit, madje disa prej tyre nuk kanë plane fare, e disa nuk e kanë në në përputhshmëri me atë nacional.
Laura Nushi, pjesë e stafit hulumtues të INDEP, sqaroi se përveç këtyre, mungon edhe një zyre informuese që është shumë e rëndësishme për investitorët.
“Ne kemi sqaruar çfarë do të thotë leje mjedisore komunale, leje mjedisore të integruara dhe licenca. Kemi vërejtur që disa komuna nuk janë në dijeni për planin hapësinor të Kosovës dhe se plani i tyre komunal nuk ka qenë në përputhshmëri me atë hapësinor. Komunikimi mes niveleve komunale dhe qendrore mungon, është shumë i pakët”.
“Ajo që kemi vërejtur në Kosovë është se mungon një zyre informuese. Kjo është e rëndësishme sidomos për investitorët e huaj. Edhe në nivelin komunal do të duhej të ishte nga një zyre informuese, që investitorët mos të bëhen barrë e ministrisë”, ka thënë ajo.
Ndërsa, Liron Gjocaj, po ashtu pjesë e stafit hulumtues te INDEP, tha se shpreson që rekomandimet e këtij raporti do të merren parasysh nga institucionet vendore për rritje te transparencës dhe llogaridhënies, zvogëlim të korrupsionit dhe lehtësim të procedurave për investitorët potencial.
Ai ka shpjeguar shkurt edhe metodologjinë e raportit.
“Raporti paraqet një analizë gjithëpërfshirëse të kryer përmes një metodologjie kërkimore duke kombinuar metodologjinë kualitative me atë kuantitative. Janë organizuar takime me përfaqësuese të akterëve relevant, hulumtime, analiza të rasteve dhe analizim i detajuar i legjislacionit në fuqi, në mënyrë te identifikimit të hapësirave ku mund të ndërhyjmë e të rekomandojmë përmirësime që kontribuojnë në lehtësimin e procesit”.
“Rekomandimet e këtij raporti, të cilat do i paraqesim sot, janë në të mirë të publikes, përmirësimit të punës se institucioneve, rritje te transparencës dhe llogaridhënies, zvogëlim të korrupsionit dhe lehtësim të procedurave për investitorët potencial. Duhet të theksoj, se shpesh herë në vendin tonë, mungon vetëm funksionaliteti i instrumenteve tashmë të krijuara, e të cilat nga zyrtarët institucional ndonjëherë edhe nuk dihet që janë aktive e që ekzistojnë”.
“Ndër të tjera kemi edhe rekomandime konkrete, të cilat kanë dal nga hulumtimi i detajuar tash e disa mujor. Shpresojmë se rekomandimet tona nuk do të hasin ne vesh të shurdhër nga ana e institucioneve përkatëse, shpresojmë qe raporti të jetë efektiv në procesin e rritjes së transparencës dhe llogaridhënies”, tha ai.