Gjithnjë e më shumë qytetarë të Kosovës janë duke u kthyer kah armët e zjarrit – qoftë për rekreacion, qoftë për siguri.
Për tre vjet, numri i lejeve të dhëna për mbajtje armësh është rritur për gati tre mijë.
Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në vend tregojnë se, vetëm gjatë vitit 2024, janë dhënë mbi 10 mijë leje të tilla.
Arsyet që i çojnë qytetarët të armatosen, sipas saj, lidhen me pasionet e tyre për shenjëtari dhe gjah.
Por, ekspertët e sigurisë mendojnë ndryshe – pasiguria publike, thonë ata, është ndër faktorët kryesorë.
Këtë, në njëfarë mënyre, e konfirmon edhe Besniku, 25-vjeçar nga Prishtina, i cili është në procedura për sigurimin e lejes për armë.
“Është e natyrshme të ndihesh më i sigurt kur ke njohuri për përdorimin e armës dhe e ke me vete”, thotë ai, duke mos dashur të identifikohet më shumë.
Radio Evropa e Lirë bisedoi me të në fund të dhjetorit në Klinikën e Psikiatrisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku po priste t’i kryente testet psikologjike dhe psikiatrike – të nevojshme për t’u pajisur me leje për armë.
Jo larg tij priste edhe një tjetër qytetar, në mesin e të 20-tave, i cili u identifikua vetëm me emrin Leart.
“Do të aplikoj për armë të shkurtër dhe armë të gjatë”, tha ai.
“Kam dëshirë ta mbaj armën… edhe për hobi, por, normalisht, ndihem edhe më i sigurt kur e kam me vete”, shtoi Learti.