Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) po i konsideron si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë në detyrë, sa i përket vendimin për dekretin e presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, konsideron se përkundër veprimeve të VV-së, Kushtetuesja do të marrë veprim të drejtë.
Ai thotë se çfarë do vendimi që nxjerrë ky institucion, do të respektohet nga AAK-ja.
“Po me veprimet që i ka bërë Lëvizja Vetëvendosje dhe Qeveria në detyrë, mendoj që janë veprime që po bëjnë presion ndaj Gjykatës Kushtetuese, mirëpo unë mendoj se Kushtetuesja do të marrë vendim të drejtë dhe ne jemi deklaruar si AAK që çfarëdo vendimi që merr Kushtetuesja, ne do ta pranojmë sepse nuk ka rrugë tjetër, sepse siç e thash është akti më i lartë juridik”, tha Lekaj.
Deklaratat e ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila ka thënë se nuk mund të tregojë nëse e pranojnë vendimin e Kushtetueses, Lekaj i sheh si absurditet, raporton EO.
“Sa i përket deklarimeve të ministres së Drejtësisë, mendoj se është një absurditet sepse nëse është dikush që duhet respektuar ligji dhe Gjykata Kushtetuese është ministria e Drejtësisë, prandaj kjo nuk do koment, sepse mos të respektohet akti më i lartë juridik është diçka që edhe qytetarët duhet ta dinë dhe si mund ta mbështesin një qeveri të tillë”, tha Lekaj.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Lekaj ka thënë se AAK-ja nuk do t’i bashkohet VV-së, nëse dështon koalicioni me LDK-në.
Madje, ai konsideron qeverinë e udhëhequr nga VV-ja, si qeveri e mashtrimit, e cila sipas tij, po punon në dëm të qytetarëve.
“Ne si AAK kemi deklaruar se nuk shqyrtojmë kërkesa tjera në këtë mandat me Lëvizjen Vetëvendosje. E kemi thënë sepse është qeveri e mashtrimit dhe po i shihni ju vet aktet që po i ndërmerr shkojnë në disfavor të qytetarëve e sidomos fshesën që po e përdorë në 12 të natës, të lë me kuptuar se kjo Qeveri më tepër ka ardhur që të hakmerret ndaj bordeve dhe mendoj që në këtë drejtim është duke gabuar, por unë shpresoj që qytetari më në fund është bind se kjo Qeveri ka ardhur për t’u hakmarrë e jo për a vendos ligjin që çdo herë ka funksionuar”, tha ai.
Se a do ta pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk e tregoi as kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ky i fundit ka kërkuar që mos t’i bëhet presion dhe si e tillë Kushtetuesja mos të mbajë anën e presidentit, raporton EO.
“Unë e kam shpjeguar qëndrimin tonë që ne po i përcjellim me vëmendje zhvillimet politike dhe Gjykata Kushtetuese nuk mund të mbajë anën e presidentit pa e zhvlerësuar vetën për shkak të aktgjykimeve të saj të më hershme dhe për shkak të rasteve që nuk janë të ndryshme as formalisht e as materialisht të vitit 2010 dhe 2017”.
“Gjykata Kushtetuese të lihet e qetë të mos ketë këso kërcënime as ndaj Kryeministrit as ndaj kujtdo tjetër dhe me profesionalizëm dhe paanshmëri ta sjellin aktgjykimin e drejtë dhe meritor”, tha ai.