Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj së bashku me kryetarin e komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj kanë vizituar punimet në rrugë në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit.
Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj tha se Gllogjani e meriton të ndihmohet edhe për shkak të simoblikës që ka, raporton Ekonomia Online.
“Sot jemi në inspektim të punimeve dhe implementim të projekteve që kanë filluar. Ne jemi zotuar edhe kur ka filluar ky projekt që ne mos të lëmë asnjë centimetër rrugë pa u rregulluar infrastruktura në Gllogjan, sepse Gllogjani e ka simbolikën e vet, është i sakrificës dhe kanë dhënë shumë për vendin, prandaj ne po bëjmë diçka më shumë për ta dhe mendoj që e meriton edhe më shumë, prandaj ne jemi të gatshëm t’i mbështesim projektet jo vetëm në Gllogjan, por në tërë Kosovën”.
Ministri Lekaj tha se ka edhe projekte të tjera që do të implementohen këtë vit dhe vitet në vijim në komunën e Deçanit.
“Vlera e projektit është 360 mijë euro dhe do të ketë edhe buxhet shtesë për rrugët dhe rrugicat”, tha ai.
Kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se ndihma e Ministrisë për komunën e Deçanit është ndihmë që i është dashur kësaj komune, raporton EO.
“Jemi në fshatin Gllogjan, ky është investim i Ministrisë së Infrastrukturës, ministrit Pal Lekaj, i cili na ka ndihmu shumë në këtë aspekt që të kemi një infrastrukturë standarde ashtu siç e meritojnë të gjitha fshatrat e komunës së Deçanit, mirëpo edhe të gjithë Kosovës. Këtu bëhet fjalë për një projekt që është 6 km e 700 metra rrugë të këtij fshati që duhet të asfaltohet, mirëpo që janë edhe një pjesë e kanaleve të ujitjes për këtë fshat dhe sot ministri është dalë me i vizitu dhe me i inspektu këto punime”.
Kryetari i komunës së Deçanit u shpreh i kënaqur me përkushtimin e ministrit Lekaj. Ai gjithashtu theksoi se kjo komunë ka nevojë edhe për ndonjë ndihmë shtesë e që varet nga kalkulimet e ministrit për ofrimin e ndihmës.