Ministri Pal Lekaj e ka mbrojtur shefin e tij në qeveri e në parti, Ramush Haradinajn, duke thënë se ai ka të drejt ta ngritë zërin kur bëhet fjalë për mbrojtjen e vlerave të luftës, pasi edhe vetë ka dhënë shumë në luftën e fundit.
Lekaj me një status në Facebook argumenton në favor të Haradinajt, pasi ky i fundit në disa intervista i ka dhënë epitetet ofenduese, Elez Blakajt, ish-prokurorit që po hetonte listat e veteranëve, por që la lëndën dhe u largua për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë më pas se ishte kërcënuar disa herë për punën e tij.
“Ramush Haradinaj, si njëri nga komandantët me të shquar të luftës së UÇK-së, natyrshëm e ka të drejtën që të ngritë zërin, në mbrojtje të vlerave të bashkluftëtarëve të tij”, ka shkruar Lekaj.
“Kryeministri sakrifikoi shumë për këtë vend. Me vete bartë plagët e luftës dhe të dhembjes së humbjes së familjarëve për tokën e shenjtë të Kosovës. Prandaj askush më shumë se ai nuk do të dëshironte që meritorët, tashmë 20 vjet pas luftës, të marrin trajtim të dinjitetshëm institucional”.
“Debati i ditëve të fundit për listat e veteranëve dhe fryrjen apo jo të tyre, më së paku i shkon në favor shoqërisë tonë”.
“Kosova, siç e dimë të gjithë, gjendet në momentet më vendimtare për të dhe ky debat i orkestruar për të keq, nuk do të duhej të lejohet që të përhapet. Nga kjo situatë nuk do të përfitojë askush, por do të humbë më së shumti vendi ynë”.