Ish – shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj në një prononcim për Ekonomia Online, ka qartësuar pozicionin e koalicionit PAN përkitazi me veprimet e tyre paszgjedhore.
Ai ka thënë se deri sa ende nuk ka certifikim të rezultateve dhe konstituim të Parlamentit nuk mund të flitet për vendime se a do të funksionojnë si grup i vetëm parlamentar në Kuvend apo së bashku me PDK-në dhe Nismën.
“Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore dhe pas konstituimit të Parlamentit të Kosovës atëherë mund të vijë një vendim nga koalicioni pas zgjedhor PDK-AAK-Nisma dhe mund të vendosin për grupe funksionale veçmas apo për një grup parlamentar”, ka thënë ai.
Duke iu referuar Nismës për Kosovën, e cila ka deklaruar se do të veprojë si grup i vetëm parlamentar në Kuvend, Lekaj ka thënë se kjo gjë në asnjë mënyrë nuk e zbeh koalicionin dhe nuk i prish marrëdhëniet mes partive politike.
“Deri sa nuk kemi certifikim të rezultateve deri sa nuk ka konstituim të Parlamentit të Kosovës atëherë partitë politike mund të deklarohen, por mund ta potencoj që në asnjë mënyrë nuk e zbeh koalicionin dhe nuk i prish marrëdhëniet mes partive politike. Ne do të funksionojmë si koalicion dhe do ta formojmë qeverinë si koalicion para zgjedhor”, ka thënë Lekaj.
I pyetur se a është diskutuar në Aleancë çështja se si do të funksionojnë në parlament, ai ka thënë janë në pritje të certifikimit të zgjedhjeve dhe më pas do të vendosin.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk e ka diskutuar dhe pasi që të certifikohen rezultatet pasi të formohet Parlamenti i Kosovës të konstituohet pastaj Aleanca do të del me një qëndrim në koordinim me PDK-në dhe Nismën”, ka pohuar ai.
Nisma për Kosovën dje ka dal me një qëndrim ku ka thënë se në Parlament do të funksionojë e vetme si grup parlamentar.