Lekaj për takimin e 14 shtatorit: Kurti ka hyrë në dialog pa konsultim dhe pa përkrahjen e spektrit politik

Prishtinë | 12 Sht 2023 | 15:01 | Nga Ekonomia Online

Të enjten, më 14 shtator në Bruksel do të mbahet takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Bashkimi Evropian tashmë ka publikuar agjendën e takimit të së enjte ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit, ku bëhet e ditur se takimi do të fokusohet në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit si dhe çështjet aktuale.

Për rifillimin e dialogut Kosovë- Serbi, analistët thonë se pala kosovare duhet të jetë e qartë me qëndrimet e veta.

Ndërsa nga partitë opozitare vlerësojnë se Kurti ka hyrë në dialog pa konsultim dhe pa përkrahjen e spektrit politik.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka thënë se Kurti dhe Vuçiq frikësohen nga vendimet e mëdha.

“Takimi Kurti-Vuçiq është vazhdimi i takimeve të dy liderëve që ju frikësohen vendimeve të mëdha. Ky takim nuk ka kuptim serioz duke i ditur deklaratat e vazhdueshme të dy palëve që kanë bërë para mediave. Kemi një Serbi që jeton dhe punon me ëndrra, që e ka shumë problem ta pranojë Kosovën shtet të pavarur. Kemi një kryeministër që ka hy në dialog pa konsultim, pa unitet dhe pa përkrahjen e spektrit politik, shoqërisë civile dhe ekspertëve të fushës së diplomacisë”, është shprehur ai.

Gjithashtu, deputeti Lekaj thotë se as faktori ndërkombëtar nuk ka një qëndrim të prerë në raport me Serbinë.

“Kemi edhe faktorin ndërkombëtar i cili për shkak të zhvillimeve të politikave ndërkombëtare me Rusinë nuk kanë një qëndrim të prerë në raport me Serbinë, si dhe për shkak të rrethanave dhe lëvizjeve politike të Qeverisë Kurti kanë humbur besimin dhe respektin e ndërtuar për 20 vite në raport me Kosovën”, thekson ai.

Sipas Lekajt, këto rrethana të lartcekura e kanë krijuar një momentum jo të favorshëm për institucionet dhe qytetarët e Kosovës, të cilëve përveç vështirësive në mirëqenie u rrezikohet ende lëvizja e lirë në BE nga janari 2024.

Si përfundim, Lekaj thekson se Kosova duhet të përmbyllë njëherë e mirë dialogun me Serbinë.

“Kosova ka nevojë ta mbyllë njëherë e përgjithmonë dialogun me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër si epilog të marrëveshjes”, shtoi mes tjerash ai, për telegrafin.

Theksojmë se, Kosova dhe Serbia në ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, janë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Ndonëse kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, zbatimi i shumicës prej tyre ka ngecur.

Të ngjashme