Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, është takuar me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu, me të cilin bisedoi për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Ferizajt dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
Sipas një komunikate për medie, Lekaj e ka falënderuar Aliun “për bashkëpunimin cilësor” dhe i ka premtuar atij, se edhe Ferizaj, sikurse të gjitha komunat e tjera do të ndihmohet në projektet e saj, për aq sa ka mundësi buxhetore dhe në ato projekte që kanë mbështetje buxhetore.
“Lekaj e ka informuar Aliun se Ministria e Infrastrukturës, që kur ai ka ardhur në krye të saj, ka vënë mekanizmat e saj në lëvizje, në mënyrë që projektet që janë prolonguar më herët, të futen në proces dhe të mos vonohen më shumë”.
Sipas Lekajt, Ministria e Infrastrukturës mbetet e përkushtuar që t’iu ndihmojë komunave dhe t’i mbështesë ato pa dallim.
“Kryetari Aliu, e ka falënderuar ministrin Lekaj, për gatishmërinë e treguar që t’i mbështesë projektet e nevojshme dhe që kanë rëndësi për ta si komunë, sidomos ato projekte ku qytetarëve të vendit u ofrohet zgjidhje adekuate, siç është edhe projekti i bashkimit të qytetit, ai për nënkalimin tek hekurudha në qendër të qytetit dhe projekte të tjera që kanë rëndësi vitale për qytetarët e Ferizajt”.
Ata janë dakorduar se të gjitha projektet e filluara duhet të përfundohen në bazë të prioriteteve të komunës së Ferizajt dhe rëndësisë që ato kanë për qytetarin dhe Ferizajn.