Lekaj premton përmbushjen e rekomandimeve nga auditorët

Prishtinë | 05 Tet 2018 | 11:33 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka shqyrtuar raportin e auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore të Ministrisë së Infrastrukturës.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se nuk është i kënaqur me gjendjen e menaxhimit që e ka gjetur në ministri, derisa ka premtuar që do të punohet për përmbushjen e rekomandimeve nga auditorët, raporton Ekonomia Online.

“Nuk jam i kënaqur me menaxhimin që e kam gjetë në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, sepse janë diku 18 çështje të theksuara në menaxhimin e financave publike duke u bazuar në prioritetet, por edhe në vijat buxhetore. Pas marrjes së raportit të auditimit në qershor, nuk kemi pasë një argument të fuqishëm t’i kundërshtojmë këto të gjetura. Ka ardhur një auditim përfundimtar me çështje të kualifikuara me argumente jo fort të pranueshme. Pas kësaj, kemi bërë planin e veprimit për përmbushjen e raportit të auditimit dhe do të mundohemi që t’i përmbushim këto kritere”.

Ai tutje ka sqaruar të dhënat e auditorit, duke thënë se po u përmbahen vijave buxhetore, derisa ka përmendur edhe punësimin e një zyrtari serb që paguhet nga ministria, mirëpo nuk e ushtron detyrën e tij.

“Kemi punësime, është serb që kemi pasë probleme dhe ne jemi munduar që pa e atakuar personin në fjalë ta zgjidhim. Unë ashtu e kam gjetur dhe nuk mund ta ndërpres, sepse janë me marrëveshje ndërkombëtare. Unë nuk e kam takuar asnjëherë dhe është problem me zgjidhë këtë çështje”.

Deputeti Avdullah Hoti ka përmendur disa nga problemet të cilat janë gjetur në raportin e auditorit, raporton EO.

“Një problem tjetër është mungesa e sistemimit dhe ruajtjes së rregullt të dokumentacionit. Te pagat dhe menaxhimi i personelit, auditori vëren mbajtjen e personelit me ushtrues të detyrës. Problemi tjetër te prokurimi është klasifikimi i shpenzimeve kapitale dhe te pasqyrat financiare nuk paraqiten drejt. Ka keqklasifikime te mallrat. Menaxhimi i projekteve kapitale nëpër komuna, pa një evidencë të qartë se a po kryhen punët. Te menaxhimi i borxheve del që janë rritur gjatë vitit 2017. Rekomandimet e vitit paraprak janë zbatuar në masë të kënaqshme”.

Sa i përket punësimit të serbëve në institucione e paguhen pa e ushtruar detyrën e tyre, kryetari i komisionit, Driton Selmanaj, tha se duhet të jetë e qartë puna e tyre, derisa e quajti të kundërligjshme punësimin e këtyre njerëzve.

“Ne duhet të dimë se çfarë pune kryejnë këta njerëz, sepse s’mund të paguhen e të mos punojnë. Kjo është e jashtëligjshme dhe nuk thuhet kështu në marrëveshje ndërkombëtare”, tha ai.

Të ngjashme