Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka reagur ndaj Autoritetit të Aviacionit Civil të Serbisë, pasi sipas tij, ka dhënë informata të pavërteta për Aeroportin Ndërkombëtar, “Adem Jashari”.
Reagimi i plotë:
“Me qëllimin më të keq, për dëmtimin e imazhit të Republikës së Kosovës, iu jep informata të pavërteta aviokompanive të ndryshme se kinse, Aeroporti Ndërkombëtar, “Adem Jashari” është i mbyllur që nga viti 1999.
Kjo jo vetëm që është qesharake por për më tepër, është një tregues se sa shumë është në gjendje t’a rrezikoj jetën e qytetarëve të vendeve të ndryshme si pasojë e keqinformimit të aeroplanëve nga ana e Autoritetit të Aviacionit Civil të Serbisë, apo siç është rasti më eklatant dhe më jo human, që nuk i është dhënë leje për aterrim emergjent aeroplanit, në të cilin ka qenë një grua shtatzënë, ky mjerisht nuk është rasti i vetëm kur Serbia ka vepruar kështu.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, jo vetëm që nuk është i mbyllur por këtë vit edhe ka pranuar mbi 2 milionë udhëtarë të vendeve të ndryshme që kanë ardhur në Kosovë, ose kanë shkuar nga Kosova duke e shfrytëzuar ketë Aeroport.
Ajo që kërkojmë nga Autoritetet Evropiane të Aviacionit Civil është që t’i reagojnë shtetit të Serbisë dhe e njëjta, njëherë e përgjithmonë, t’a ndal këtë propagandë e cila jo vetëm që nuk përkon me të qenurit korrekt në relacionet Kosovë – Serbi por mund të rrezikoj seriozisht jetën e pasagjerëve që udhëtojnë me aviokompani të ndryshme.
Ne i bëjmë me dije Serbisë dhe të gjitha institucioneve relevante ndërkombëtare, se nëse ndodh diçka e keqe në këtë drejtim, tërë përgjegjësia do të bjerë mbi ketë shtet i cili përmes institucioneve të tij dezinformon me qëllimin më të keq të mundshëm”, thuhet në reagimin e ministrit të Infrastrukturës Lekaj.