Lekaj: Qeveria duhet t’i paguajë Bechtel & Enkas edhe 63 milionë euro

Prishtinë | 08 Dhj 2017 | 15:12 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i infrastrukturës, Pal Lekaj gjatë vazhdimit të seancës plenare në të cilën është duke u diskutuar për programin qeverisës, ndër të tjera ka folur edhe për ndërtimin e autostradës Prishtinë- Hani i Elezit.

Kompania e cila është kontraktuar për ndërtimin e kësaj autostrade “BechtelEnka” ka kërkuar nga qeveria 63 milionë euro për shkak të zgjatjes së afatit për përfundimin e punimeve në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit.

Ministri Lekaj tha se kontrata për ndërtimin e  kësaj autostrade ka pasur vlerën 599 milionë e 944 mijë e 263 euro. Pas 1 shtatorit të vitit 2015 ky çmim është rritur në 608 milionë e 348 mijë e 630 euro.

“Kompania ndërtimore Bechtel&Enka si punë kryerëse dhe Qeveria si punë dhënëse kanë nënshkruar kontratën për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit në një vlerë prej 599 milionë e 944 mijë e 263 euro. Pas 1 shtatorit të vitit 2015 ky çmim është rritur në 608 milionë e 348 mijë e 630 euro për shkak të ndryshimit të TVSH-së nga 16 në 18 për qind. Punimet kanë filluar në vitin 2014 ndërsa do duhej të përfundonin me 1 janar 2018”.

“Në vitin 2014 është dashur të paguhen 70 milionë, janë paguar 55 milionë. Vonesa 21 për qind e shpenzimeve të planifikuara. Në vitin 2015 është dashur të paguhen 220 milionë, janë paguar 112 milionë, në fillim të vitit janë alokuar vetëm 90 milionë euro, vonesa është për 59 për qind. Në vitin 2016 është dashur të paguhen 205 milionë euro, janë paguar 155 milionë e 978 mijë euro. Në fillim të vitit janë alokuar vetëm 108 milionë euro. Vonesa është 42 për qind. Këto vonesa kanë shkaktuar vonesa në përmbushjen e detyrimeve të debitorit në këtë rast Bechtel&Enka, me fajin e kreditorit Qeverisë së Kosovës “, shtoi Lekaj.

Lidhur me marrëveshjen mes kompanisë dhe Qeverisë së Kosovës, ka reaguar deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Ai ka thënë se kërkesat e Bechtel&Enka-s janë të tepruara andaj edhe sipas tij nuk do të thotë se duhet me automatizëm të pranohen.

“E para duhet qartësuar qytetarëve që kërkesa e Bechtel&Enka nuk është definitive, pra është vetëm një kërkesë e tyre dhe si e tillë duhet trajtuar në bazë të interesave shtetërore ë Kosovës. Fakti që Bechtel&Enka i kërkon 63 milionë euro nuk do të thotë që me automatizëm duhet pranuar si kërkesa legjitime të tyre sepse po me duket e tepruar që Bechtel&Enka t’i kërkoj Kosovës 30 milionë pse i kanë qëndruar kamionët në Kosovë, po me duket e tepruar që ti kërkoj 16 milionë për rrogat e stafit të tyre për shkak të vonesave 11 milionë euro”, tha Abdixhiku.

Ditë më parë ”Bechtel&Enka” ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ia paguaj shumën prej 63 milionë eurosh për shkak të mos punës efektive, në emër të amortizimit të mjeteve të punës, si dhe për shlyerjen e obligimeve që kanë ndaj bankave.

 

 

Të ngjashme