Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, vlerëson se kryeministri i vendit, Albin Kurti, duhet të ofrojë zgjidhje urgjente për krizën energjetike në vend.
“Kryeministri nuk është këtu që të thurë vargje por që të ofrojë zgjidhje dhe t’ju ofrojë rrymë qytetarëve. Qeveria Kurti duhet të veprojë urgjentisht dhe do të ketë përkrahjen tonë në zgjidhjen e problemit”.
“E ka pushtetin, fuqinë dhe numrat për të zgjidh problemet. Deri para një viti nuk kemi pas probleme me energjinë elektrike edhe pse i kemi paralajmëruar por e kanë marrë si gjë politike dhe jo që të fillojnë të analizojnë çështjen”.
Lekaj deklaroi se Qeveria Kurti nuk duhet të vajtojë dhe të fshihet pas qeverive të kaluara, por të jetë transparent me qytetarët për të gjitha vendimet që do të marrë.
“Ishte e domosdoshme që të debatohet për krizën energjetike pasi kemi hyrë në një krizë të thellë energjetike. Kjo qeveri më tepër ka praktikën që të ketë veprimet “ad-hock” sesa të bëjë një analizë paraprake që të zgjedh problemet”.
“Me këtë krizë Kurti nuk ka rrugëdalje dhe lë fajtore qeveritë paraprake dhe duhet të ofrojë zgjidhje e mos të vajtojë” tha ai, shkruan Klankosova
“Nga kryeministri kërkohet që të dalë dhe të ballafaqohet me qytetarët për çfarëdo vendimi dhe jo të fshihet pas qeverive të kaluara. Besoj që deri në mars do të ketë krizë energjetike e edhe shtrenjtim të rrymës e për këtë duhet të dalë dhe t’ju tregojë qytetarëve vet”, tha Lekaj.