Lekaj: S’heqim dorë nga presidenti, ende s’kemi vendim për ftesën e Kurtit dhe Osmanit

Prishtinë | 12 Mar 2021 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ende nuk ka marr vendim nëse do të shkojë apo jo në takimin e thirrur nga Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, e ku do të diskutohet për formimin e institucioneve, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Por, nga kjo parti po thonë se nuk kanë hequr dorë nga pozita e presidentit, post të cilin e synon edhe Vjosa Osmani.

Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar ftesa për tri partitë më të mëdha në vend, për të biseduar rreth konstituimit të institucioneve, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, shkruan Gazeta Express.

Nga AAK-ja thanë për Gazetën Express se ende nuk kanë vendim për të marr pjesë apo jo në takimin me liderin e VV-së, Albin Kurti dhe u.d. të Presidentit, Vjosa Osmani.

Nënkryetari i kësaj partie, Pal Lekaj ka thënë për Express se kjo çështje pritet që të diskutohet në nivelet vendimmarrëse të AAK-së.

“Nuk kemi vendim ende. Pritet të diskutohet në nivelet vendimmarrëse të AAK-së që a do të jemi pjesë e konsultimeve për formimin e qeverisë dhe me kohë do të informoheni”, ka thënë Lekaj.

Më tutje Lekaj tha se AAK-ja nuk ka hequr dorë nga posti i presidentit, pozitë të cilën e synon edhe Vjosa Osmanin, që në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi në listën e VV-së.

“AAK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket pozitës së presidentit”, ka thënë më tutje ai.

Ndërsa partia e parë që i është përgjigjur pozitivisht ftesës së liderit të VV-së, Albin Kurti dhe u.d. të Presidentit, Vjosa Osmani është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

“PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e ftuar të hënën. Si parti kryesore opozitare, qëndrimet tona rreth formimit të institucioneve do t’i bëjmë të njohura në takim”.

Manxhuka gjithashtu njoftoi se letër ftese i është dërguar edhe subjekteve të komuniteteve.

Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti dhe e propozuara për presidente nga lista e VV-së, Vjosa Osmani, kanë ftuar ushtruesin e detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhajn, për një takim të hënën më 15 mars në ora 11:30.

Ndërkohë që një ftesë identik e ngjashme për takim i është dërguar edhe kryetarit të LDK-së i cili do të zgjidhet me 14 mars. Takimi me kryetarin e ri të LDK-së mund të ndodhë më 15 mars në ora 12:30.

Ndërsa me të parin e AAK-së, Ramush Haradinajn, VV-ja planifikon të takohet në ditën e njejtë në ora 13:30.

Në letër thuhet “I nderuar (kryetar), Barazuar në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit, është shumë me rëndësi që të procedohet tutje me formimin e institucioneve që reflektojnë vullnetin qytetar të shprehur në zgjedhje, sapo të certifikohen rezultatet përfundimtare nga ana e KQZ’së.

Me qëllim që ky proces i konstituimit të institucioneve të bëhet sa më shpejtë dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit dhe legjislacionit në fuqi, ftoheni për konsultim për hapat e mëtejmë në këtë proces. Propozojmë që takimi të mbahet në formatin 1+1, më 15 mars në orën –:– në sallën N-303 të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Me respekt, Albin Kurti – Kandidat për kryeministër dhe Vjosa Osmani-Sadriu – Kandidate për Presidente”.

Kujtojmë që fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje me 49,95% të votave të përgjithshme, e pasuar nga PDK-ja me 16.90% të votave dhe e treta u rendit LDK-ja me 12.64% të votave.

AAK-ja në këto zgjedhje mori vetëm 7.07% të votave.


Të ngjashme